Drejtori i Burgut të Idrizovës, Rexhep Rexhepi, konfirmoi për TV21 se në mëngjes policia ka kryer aksion brenda burgut. Thekson se kontroll është bërë edhe në qelitë ku dënimin e vuajnë pjesëtarë të dënuar për ngjarjet e Kumanovës, të cilët, siç thotë Rexhepi, në burg janë të ndarë në dy grupe.
Kontrolle po ashtu janë bërë edhe në pjesën e burgut që është gjysmë i hapur, thotë Rexhepi, duke shtuar se kontrolli është bërë në qelitë ku ka pasur dyshime se mund të gjenden mjete të cilat janë të ndaluara në burg, si armë, lëndë narkotike dhe telefona celularë.
“Nga i gjithë kontrolli janë gjetur vetëm thika të vogla të kuzhinës dhe telefona celularë smartphone”, tha Rexhep Rexhepi, drejtori i burgut të Idrizovës.
TV21 kontaktoi edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, nga ku na thanë se aksioni është zhvilluar për gjetjen e “mjeteve të lidhura me vepra penale”.
“Po ka pasur bastisje me qëllim gjetjen e mjeteve të lidhura me vepra penale. Tek të dënuarit në qeli, për drogë, armë, thika dhe telefona”, thonë nga MPB, duke mos dhënë informacione më të detajuar se çfarë kanë gjetur në qeli./TV21