Dështojnë bisedimet mes sindikatës dhe Ministrisë së Arsimit. Takimi rreth dy orësh përfundoi pa kurrfarë rezultati pasi siç njoftuan nga SASHK-u qeveria nuk ka vendosur në tryezë asnjë propozim konkret. Kreu i Sindikatës tha se Ministri nuk kishte dhënë garanci se sa mund të rriten pagat dhe se biseda ishte fokusuar vetëm në pasojat e grevës. Ministria e Arsimit nga ana tjetër pas përfundimit të bisedimeve theksoi se greva po i dëmton nxënësit dhe kujtoi mësimdhënësit se orët e humbura do të duhet t’i kompensojnë, respektivisht se viti shkollor do të duhet të vazhdojë edhe pas 9 qershorit, shkruan Alsat.
– Advertisements –
“Fatkeqësisht nuk kemi lajme të mira për opinionin, greva do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme për shkak se nuk kemi premtim konkret se rritja e pagave do të jetë për ndonjë përqindje të caktuar. Bisedimet më shumë kishin të bëjnë me atë se kur do të vazhdojë mësimi, si do të kompensohen orët e humbura, cilat janë pasojat e grevës dhe shumë të tjera. Ministri nënvizoi se do të ketë rritje të pagave. Bindja e tij ishte se do të ketë rritje, por edhe ai vetë nuk e dinë se sa prandaj nuk deshi të spekulojë ndërkohë që edhe ne nuk e dimë se për sa bëhet fjalë”, deklaroi Jakim Nedellkov, kryetar I SASHK-ut. /Alsat.mk