Udhëheqësi i opozitës ruse i burgosur Alexei Navalny ka postuar një seri postimesh në Twitter duke bërë thirrje për protesta të përditshme në të gjithë Rusinë dhe më gjerë.
Navalny ka kaluar një vit pas hekurave, pasi i mbijetoi një sulmi helmues për të cilin fajëson Kremlinin. Muajin e kaluar ai doli në gjyq me akuza të reja që mund të rrisin kohën e tij të burgut për më shumë se një dekadë.
“Ne, Rusia, duam të jemi një komb i paqes. Mjerisht, pak njerëz do të na quajnë kështu tani”, shkruan ai nga burgu i sigurisë maksimale në lindje të Moskës ku është i burgosur.
Por rusët duhet “të paktën të mos bëhen një komb njerëzish të frikësuar e të heshtur që bëjnë sikur nuk e vënë re luftën”, shton ai.
“Është dekada e tretë e shekullit të 21-të dhe ne po shikojmë lajme rreth njerëzve që digjen në tanke dhe shtëpi të bombarduara”, shton Navalny. “Ne po shikojmë kërcënimet reale për të nisur një luftë bërthamore në televizorët tanë”.
“Ne duhet, duke shtrënguar dhëmbët dhe duke kapërcyer frikën, të dalim dhe të kërkojmë përfundimin e luftës. Çdo person i arrestuar duhet të zëvendësohet nga dy të tjerë”, vijon ai postimet.
“Nuk mund të presim më. Kudo që të jeni, në Rusi, Bjellorusi apo në anën tjetër të planetit, shkoni në sheshin kryesor të qytetit tuaj çdo ditë jave dhe në orën 14:00 gjatë fundjavave dhe festave”, apelon lideri opozitar rus.