Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i është drejtuar popullit të tij, duke i thënë të kthehen e ta mbrojnë vendin, pasi siç thotë ai, ata po fitojnë.
“Dua ta nis këtë apel me lajme të mira. Ne kemi rezistuar dhe po zmbrapsim me sukses sulmet e armikut. Luftimet vijojnë në disa qytete e zona të shtetit tonë. Por ne dimë ta mbrojmë vendin, tokë, të ardhmen e fëmijëve tanë. Kievi dhe qytetet kyçe qark kryeqytetit janë nën kontrollin e ushtrisë sonë. Pushtuesi do të bllokojë qendrën tonë dhe të vendosë edhe këtu, kukullën e saj, siç bëri në Donjetsk. Nuk janë aspak në avantazh ndaj nesh. Në rrugët dhe qiellin e Kievit beteja vijon”.
Presidenti ukrainas shtoi se “armiku ka përdorur gjithçka ndaj nesh, raketa, sulme nga ajri, me drone, artileri të rëndë, automjete të rënda. Jua them sinqerisht. Populli ukrainas tashmë ka fituar dhe ka të drejtë të jetë një vend anëtar i BE. Kjo do të jetë prova kyçe për mbështetjen ndaj vendit tonë”.
Zelensky i bëri një tjetër apel popullit të tij, kudo ai ndodhet, shkruan a2cnn.
“Ukrainas, duhet të mbani mend diçka. Në qoftë se mund ta ndaloni dhe shkatërroni pushtuesin, bëjeni. Të gjithë ata që mund të kthehen në Ukrainë, bëjeni, kthehuni e mbroni Ukrainën. Më pas kemi shumë punë për të rindërtuar vendin”.
Ai foli edhe për popullin rus.
“Dua që edhe Rusia të më dëgjojë. Keni mijëra viktima. U dërguan në Ukrainë për të vrarë të tjerët, por vdiqën. Sa më parë t’i thoni qeverisë suaj ta ndalojë luftën, aq më shumë nga njerëzit tuaj do të mbeten gjallë”.