Kabineti i kryeministrit Zoran Zaev, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të zv.kryeministrit Nikolla Dimitrov, i cili sot në konferencë për shtyp tha se nuk është larguar me vetdëshirë nga qeveria e ardhshme, por si rezultat i qëndrimeve të tij në raport me kontestin me Bullgarinë.
Nga kabineti i Zoran Zaevit, thonë se qëndrimet shtetërore në lidhje me Bullgarinë, janë ndërtuar bashkërisht, ndërsa kërkojnë nga Dimitrovi që të tregojë arsyet e vërteta të deklaratave të tij, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Maqedonia e Veriut ka qëndrime të qarta në bisedimet me Bullgarinë, të ndërtuara me unitet të plotë qeveritar dhe të dërguara si përgjigje nga MPJ-ja jonë në MPJ-në bullgare. Identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase nuk janë fare temë bisede mes nesh dhe Bullgarisë. Qëndrimet maqedonase të dhëna si përgjigje në lidhje me temat që janë objekt i bisedimeve me Bullgarinë, për të cilat opinioni është i njohur mirë, janë ndërtuar përmes një procesi të gjithanshëm konsultimesh dhe takimesh pune, në të cilat Nikola Dimitrov ka pasur një rol aktiv dhe thelbësor dhe ka kontribuar me pikëpamjet e tij, dhe qëndrimet tona të tilla janë plotësisht në përputhje me propozimin portugez që ishte propozim i kryesisë sllovene, por edhe në përputhje të plotë me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut”.
“Nikolla Dimitrov u pajtua me qëndrimet e Maqedonisë në këto negociata, në fakt ai pati një rol serioz në krijimin e qëndrimeve tona, përmes procesit të udhëhequr nga ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. Nëse Dimitrov është kundër ndonjë prej qëndrimeve që kemi ndërtuar së bashku, është e ndershme për shkak të popullit të thotë dhe të shpjegojë pse, sepse përndryshe mbetet përshtypja se mospjesëmarrja e tij në qeverinë e ardhshme është arsyeja e manifestimeve kaq të pasaktë dhe spekulative, me qëllim që të vendosë barrë mosbesimi ndaj qeverisë”, thuhet në reagimin e kabinetit të Zoran Zaevit.
Ndryshe, zv.kryeministri Nikolla Dimitrov sot në konferencë për shtyp ka folur në lidhje me arsyet për të cilat nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re, duke shtuar nuk është larguar me vetdëshirë por si rezultat i qëndrimeve të tij në lidhje me kontestin me Bullgarinë.
Dimitrov gjithashtu tha se nuk ka besim të plotë në ministrin për Punë të Jashtme, Bujar Osmani, duke shtuar se ky i fundit dëshiron me çdo kusht të ketë zgjidhje të kontestit, gjë që sipas Dimitrovit, është e rrezikshme.