“Në vend ka dy parti politike me orientim prorus që kanë ndikim nga Lindja. Ato punojnë për interesat ruse dhe kjo nuk është e fshehtë, vetëm mund të bëhemi se nuk e dijmë”.
Kështu është shprehur kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në brifingun e sotëm me gazetarë në selinë e BDI-së, në Tetovë.
I pyetur nga gazetarët se për cilat parti e ka fjalën, ai tha se ato janë, partia e Janko Baçevit dhe “Levica”.
Sipas Ahmetit, “Levica” është parti e cila kundërshton hapur Marrëveshjen e Ohrit dhe atë të Prespës, është kundër anëtarësimit në NATO, si dhe kundërshton edhe njohjen e Kosovës nga Maqedonia.
Në listën e partive proruse, Ahmeti nuk e renditi VMRO-DPMNE-në, pasi siç u shpreh, kjo parti nuk është pjesë e atyre strukturave.