Kryetari i parlamentit në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi konfirmon se në gjysmën e dytë të muajit janar vendi do të jetë nën drejtimin e qeverisë së re. Afatet sipas Kushtetutës kanë nisur të llogariten pas dorëheqjes së Zoran Zaev, ndërsa nuk priten surpriza pasi marrëveshja me partinë opozitare “Alternativa” garanton shumicën parlamentare me 64 deputetë. “Pritshmëritë janë që të jetë 28, 29 dhjetor dhënia e mandatit, mandatarit të ri, dhe nga ai moment që madatari i ri merr mandatin sipas rregullave tona në afat prej 20 ditëve mandatari i ri duhet të dalë me propozim përbërje personale të stafit, kabinetit qeveritar, dhe programin qeveritar me të cilin do të punojë qeveria e re dhe pritshmëritë janë që ato afate të jenë të përshpejtuara dhe Republika e Maqedonisë së Veriut më së voni deri më 17, 18 janar të ketë përbërjen e re, gjegjësisht qeverinë e re”, ka thwnw kryeparlamentari Talat Xhaferi. Duke i’u referuar përvojës në 13 vitet e fundit, kryeparlamentari vëren se është thelbësore të respektohet cikli katër vjeçar i zgjedhjeve të rregullta, pasi kriza politike cenon ndër të tjera edhe marrëdhëniet me fqinjët dhe ato ndërkombëtare.