Kryetari aktual i Kumanovës, njëherësh kandidat edhe për një mandat për kryetar të Komunës Maksim Dimitrievski pretendon se është ndjekur dhe ndaluar nga policia, ndërsa gjithë këtë situatë e ka transmetuar drejtpërdrejtë në rrjetin social facebook.
Dimitrievski tha se gjatë një kontrolli të zyrtarëve të SPB Kumanovë, në rrugën Leskovaçka u ndërpre i gjithë trafiku për çerek ore. Ai tha se policia nuk i tregoi arsyet, ndërsa e dërguan makinën në kontrollim teknik.
Kandidati i pavarur për një mandat të dytë të fronit të Kumanovës, tha se këtë e ka hakmarrje nga ish shokët e partisë Socialdemokrate në mesin e të cilëve përmendi ministrin e brendshëm Oliver Spasovskin.
“Kjo tentativë është vazhdimësi për të frikësuar njerëzit e Maksit dhe dua t’ju them së porosi të qartë edhe zotëri Oliver 1 dhe zotëri Oliver 2 nuk jeni as të parët e as të fundit. Qytetarët shohin se si nga ju si individë e transformoni pushtetin në regjim dhe kjo do të dënohet fuqishëm nga qytetarët me votë më 30 shtator. Presionet këtu nuk ju ecin!” – deklaroi Maksim Dimitrievski, Kandidat për Kryetar të Kumanovës.
Nga LSDM nuk deshën të flasin. Në reagimin e parë të MPB-së thuhet se është iniciuar një kontroll i brendshëm në SPB Kumanovë për të shqyrtuar procedurën.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Lidhur me ngjarjen e sotme në Kumanovë, kur u ndalua makina ‘Reno’ e drejtuar nga D.D. ju informojmë se MPB menjëherë ka aktivizuar Sektorin për kontroll të brendshëm dhe standardeve profesionale për zbardhjen e plotë të rastit. MPB nuk do të lejoj asnjë lloj presioni, veprime të paligjshme apo keqpërdorim të detyrës zyrtare”
Maksim Dimitrievski në rrethin e parë zgjedhor doli kandidati më i votuar në Kumanovë, i pasuar nga kandidati i LSDM-së Oliver Ilievski. Dallimi mes tyre është 22 vota.
Adnan Qaili/Alsat-M