„Austria është ndër vendet më të mira në botë për të bërë biznes. Në Austri e ke gjithë infrastrukturën e gatshme për biznes, e veçanerisht Vjena, e cila është një metropol botëror”, thotë për albinfo.at, afaristi i njohur shqiptar në Austri, Argtim Hani.
Argtim Hani njihet si një nga biznesmenët më të suksesshëm shqiptarë në Austri. Me të e kishim lënë të takohemi në zyrat e kompanisë së tij “Hani Holding”, të cilat gjenden vetëm pak metra larg qendrës kryesore të Vjenës.
Ishte ditë e premte. Ditë pune. Telefonatat në zyrën e tij nuk pushonin. Me dhjetëra oferta dhe kërkesa për shit-blerje të banesave ishin mbi tavolinën e tij të punës. Takimet e shumta me palë dhe angazhimet ditore, bënë që të mos mundnim ta realizonim intervistën e planifikuar. “E sheh sa ditë e ngarkuar është. Kështu e kam çdo ditë“, më thotë Argtimi dhe shton: „A bëjmë diç tjetër: Po të ftoj nesër në shtëpinë time. Aty jam më i qetë dhe jemi më të lirë edhe për të biseduar“. Padyshim, u pajtova. Për t‘u relaksuar nga një ditë e ngakruar me plot aktivitete, Argtimi kërkoi që të dalim dhe të ecim këmbë nëpër sheshin kryesor të Vjenës. Derisa ecnim, njerëz të shumtë e ndalnin në rrugë duke e përshëndetur, thuajse ai ishte duke ecur nëpër vendin e tij të lindjes, në Veleshtë të Strugës. Përbri njërës rrugë që e lidh me sheshin, ishte edhe një objekt shumëkatësh ku Argtimi kishte disa banesa të cilat siç tha ai i lëshon me qira përmes „Airbnb“-së për turistët që vijnë në Vjenë. Të nesërmen u takuam në shtëpinë e tij, në qarkun (Bezirkun) e 19-të të Vjenës, i cili njihet si vendbanim i personave të famshëm dhe të pasur.
<div “=””>
Në maje të një kodre nga ku shihej e gjithë bukuria e Vjenës, ishte ndërtuar një shtëpi përrrallore dhe me shije të veçantë. Kjo ishte rezidenca e biznesmenit, Argtim Hani. Meqë ishte ditë e shtunë, e kisha menduar se do të jemi më të qetë, por edhe gjatë kësaj dite, Argitmi nuk pushonte duke u takuar me palë të interesuara për blerje të banesave të tij. U ula edhe unë me ta teksa Argtimi si modest që është, na solli vetë pije freskuese. Ata kishin ardhur me idenë për të blerë një banesë e cila ishte në „Bezirkun“ e parë, që ndryshe quhet „zemra e Vjenës“. Mirëpo oferta që ata bënin sipas Argtimit ishte nën vlerën e banesës. Pas një diskutimi mes tyre në gjuhën gjermane, ai u thotë prerazi: “ Në rast se mendoni se banesën mund ta merrni nën vlerën që e ka, atëherë këtu përfundon biseda për këtë rast”. Ashtu edhe ndodhi. Ata nuk ishin të gatshëm për atë çmim dhe u larguan. Ne, vetëm tash gjetëm kohë për të zhvilluar bisedën tonë. Prandaj për revistën „albinfo.at“, Argtim Hani na flet gjithçka mbi jetën dhe veprimtarinë si biznesmen dhe patriot.
Sot është ditë e shtunë, që për shumë udhëheqës firmash është ditë pushimi. Por, me ju edhe gjatë kësaj dite mezi që gjetëm kohë të bisedojmë, nga shkaku i termineve të njëpasnjëshme. Kur pushoni ju?
Kur je i pavarur (Selbständig) atëherë kërkohet që gjithmonë të jesh kurdo dhe çdokund. Pra, puna që ne kemi zgjedhur të jemi të pavarur, kërkon që të punojmë edhe gjatë ditëve të pushimit, por nganjëherë të pushojmë edhe gjatë ditëve të punës. Megjithatë, zakonisht ditët e fundjavës mundohem çdoherë t’ua kushtoj familjes, shoqërisë apo farefisit.
Për ata që nuk ju njohin, a mund të na flsini pak për veten dhe fëmijërinë tuaj?
Jam lindur dhe rritur në Veleshtë të Maqedonisë së Veriut. Shkollën fillore e kam përfunduar në vendlindje, të mesmen në Prizren. Që nga mosha 23 vjeçare lash vendlindjen, atdheun… Tani jam 46 vjeçar, qe do të thotë që 23 vjet tjera të jetës duke bredhur rrugëve të mërgimit. Fëmijëria ime ishte sikur e shumicës së fëmijëve tjerë. Në atë kohë luksi ishte shumë larg kësaj që tashmë kanë fëmijët në përgjithësi. Thuajse gjithë fëmijët jetonim njëjtë. Merreshim me punët e fshatit. Nuk dua të them se jetonim në skamje, ngase babai im punonte dhe na bënte të mundur të kemi një jetë mesatare.
Nga Veleshta, shkollën e mesme e vazhduat në Prizren. Pse?
Shkollimin e mesëm e kam përfunudar në shkollën teknike „Gani Çavderbasha” në Prizren. Ishin vitet e 80-ta kur u mbyllën shkollat shqipe në Maqedoni, dhe u detyruam që të shohim se ku mund të vazhdojmë mësimin në gjuhën shqipe. S’do mend që “çerdhja” jonë ishte Kosova. Ishin vajzat e hallës sime të cilat shkolloheshin atje, dhe si një gjeneratë që ishim, më propozuan që të shkoj edhe unë. Në Prizren kam jetuar nga viti 1988 – 1992. Prizreni më ka burrëruar. Kanë qenë vite të paharruara dhe kujtimet më të bukura të jetës sime, anipse në vitin e fundit hynë masat e dhunshme policore dhe më shumë kemi mbajtur mësime nëpër shtëpi private sesa në shkolla. Ruaj kontakte ende me miq të asaj kohe dhe e vizitoj Prizrenin thuajse sa herë që shkoj në Kosovë.
Pastaj u kthyet prapë në Maqedoni, apo?
Po. Dëshiroja të regjistroj fakultetin në Prishtinë ose Tiranë, por në asnjërin vend nuk ishte situatë stabile. Kështu që vendosa të kthehem në Veleshtë dhe t’i ndihmoj babait dhe vëllait në firmën që kishim atëherë dhe që e posedojmë edhe tash, në vendlindje.
Kur migruat për në Austri dhe cila ishte aryseja?
Në Vjenë kam mbërritur më 4 dhjetor të vitit 1998, saktësisht në orën 6:24, në Westbahnhof. Erdha nga Zvicra. Kur jam larguar nga Struga, fillimisht kam migruar për në Zvicër ku kam qendruar dy muaj dhe prej atje pastaj kam ardhur në Vjenë.
Ishte qëllimi juaj të vinit në Vjenë apo erdhët rastësisht këtu dhe mbetët?
Nuk ka qenë edhe krejt rastësi pasi që bashkëshortja ime jetonte më herët sesa unë në Austri dhe qëllimi ynë ishte të vija këtu. Mirëpo, njëra prej arsyeve të largimit tim nga vendlindja ishte sepse në atë kohë ne mbështesnim revulucionarët e UÇK-së dhe kësisoj ishim në një mënyrë edhe të ndjekur nga okupatori serb.
Meqë ra fjala, ditë më parë kur jemi takuar, më treguat një fotografi me uniformë të UÇK-së. A mund të na shpjegoni pak më shumë rreth asaj fotografie?
Ka qenë viti 1998, para se të migroja për në Zvicër. Është një fotografi me disa shokë të mi nga Veleshta, ku ne mbeshtesnim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne bënim të mundshëm transportimin e mjeteve të nevojshme për Ushtrinë, nga Shqipëria përmes Maqedonisë për në Kosovë. Në Maqedoni në atë kohë nuk kishte luftë të shpallur, dhe ne lëviznim në mënyrë ilegale por, kemi qenë mjaft të organizuar dhe ka funksionuar gjithçka në mënyrë të kordinuar. Që të jem i qartë, aksioni ka qenë zinxhiror, pra ka lëvizur nga një grup në një grup tjetër që është shpërndarë pastaj nëpër Kosovë, aty ku ka pasur nevojë për ato mjete.
Të kthehemi tek jeta juaj në Austri. Si kanë qenë ditët e para?
Ditët e para kanë qenë shumë të vështira, natyrisht ashtu siç është për secilin që vjen nga një vend tjetër, e veçanërisht nga vendet tona, ku dallojmë me gjuhë, kulturë dhe gjithçka tjetër. Por në jetë kam qenë gjithmonë një „nxënës“ i mirë. Kam arritur që gjërat t’i mësoj shumë shpejt. Nëse dikush me jepte një këshillë, e ruaja në kujtesë edhe nëse nuk ia aprovoja menjëherë.
Si filluat me biznes?
Sapo kam ardhur, kam banuar në një banesë të vogël në Klosterneuenburg. Të bësh biznes, duhet të jesh i guximshëm. Unë kam ardhur në dhjetor, dhe vetëm pas dy muajve, pra në fillim të muajit shkurt kam hapur kompaninë time të parë. Si sportist dhe karateist që kisha një përvojë, pas vetëm disa javësh kam hapur klubin e karatesë ndërsa vetëm pas tre muajsh në të njëjtën kohë hapa edhe një kafene në Klosterneuenburg. Paralelisht punoja me të tre bizneset.
Keni ecur me hapa të shpejtë në biznes dhe sot njiheni një ndër biznesmenët më të suksesshëm shqiptarë në Austri. Si e arritët gjithë këtë sukses?
Është e vërtetë. Krahas bizneseve kam ndjekur kurse të ndryshme profesionale dhe biznesore. Patundëshmëria, ka qenë gjithmonë synimi im. Unë nuk kam ndjekur atë formë të biznesit që çka të fitoj ta depozitoj, por të gjitha fitimet i kam investuar në rritjen e bizneseve tjera. Gjithsesi, një ndihmë për mua ka qenë edhe rritja e vlerës së patundëshmërive në Austri, veçanerisht në Vjenë viteve të fundit.
Cila është këshilla juaj për personat e rinj që dëshirojnë t‘i futen biznesit?
Gjithmonë bëjëni atë punë që dini ta bëni më së miri. Zakonisht dështimet në të shumtën e rasteve ndodhin kur njeriu e bën një punë që nuk e njeh. E thashë edhe më herët, unë jo vetëm që kam punuar, por krahas kësaj, edhe kam mësuar, kam ndjekur kurse të ndryshme të asaj fushe.
Sa biznese keni aktualisht?
Në fakt biznesi im është patundshmëria. Pastaj përmes patundshmërisë lidhen edhe gjërat tjera, si turizmi. Ne japim banesa me qira për turistë në Vjenë (përmes „Airbnb“), pastaj bëjmë ndërtime të objekteve banesore, bëjmë shitblerje banesash. Kemi po ashtu edhe një kompani tjetër e cila merret me mirëmbajtjen dhe pastrimin e objekteve dhe ndërtesave.
Bizneset, veçanërisht pronat tuaja gjenden në qendër të Vjenës dhe në vendet më të shtrenjta të kryeqytetit austriak. Sa ka qenë e vështirë për të depërtuar në këto pjesë?
Tani kur po flasim, po më kujtohet një rast para 20 vjetësh, kur fillova edhe me biznesin e ndërtimit. Isha në një takim për një marrëveshje për restaurimin e një objekti. Punëdhënësi kryesor kishte ndarë objektet në dy pjesë. Një pjesë të objektit për mua dhe një pjesë për një kompani tjetër. Ndonëse e bënim punën e njëjtë, çmimet që ia kishte ofruar kompanise tjetër ishin shumë më të larta sesa për mua. E pyeta pse? Më tha: “Ju kryeni punë të vogla dhe për këtë edhe niveli i restaurimit për ju ka çmime më të ulëta në krahasim me kompaninë tjetër”. Aty arrita të analizoj dhe i thash vetes se “njeriu me aq sa merret, ashtu edhe vlen”. I thashë vetes se mundem edhe unë të bëj më shumë. Kështu vendosa që të bëj ndarjen e lagjeve të Vjenës, dhe të investoj aty ku rritet më shumë vlera e biznesit. Gjithmonë kam synuar pikëqendrat kryesore. Natyrisht se të gjitha objektet nuk i kam në “Bezirkun” e parë, por sigurisht se kam shumë. Edhe të tjerat i kam në zona po aq të shtrenjta dhe me vlerë të madhe.
Kam parë një libër i cili gjendet edhe në internet, ku ju jeni në mesin e 50-të biznesmeneve më të sukseshëm me prejardhje të huaj në Austri. Si u bëtë pjesë e këtij lbri?
Më sa di kjo ka qenë tri – katër vite më parë, kur Oda Ekonomike e Austrisë më ka zgjedhur mua njërin nga 50 biznesmenët më të suksesshëm në Austri të cilët janë të ardhur nga vendet e tjera por që biznesin e kanë zhvilluar në Austri. Është ndjenjë e mirë kur punën tënde e vlerësojnë të tjerët.
Është lehtë apo vështirë të bësh biznes sot në Austri, apo thënë ndryshe, më vështirë ka qenë dekada më herët apo tash?
Austria është ndër vendet më të mira në botë për të bërë biznes. Në Austri e ke gjithë infrastrukturën e gatshme për biznes, e veçanerisht Vjena, e cila është një metropol botëror. Por duhet të dish se çfarë kërkon. Edhe për shqiptarët është shumë lehtë, veçanërisht ata që merren me ndërtimtari. Në Austri thuajse mbi 50 – 60 për qind të punimeve të ndërtimtarisë i bëjnë shqiptarët. Është mundësi shumë e mirë për të bashkëpunuar me njëri – tjetrin. Kompanitë e mëdha shqiptare gjithmonë ofrojnë punët dytësore për firmat shqiptare më të vogla. E gjitha që kërkohet është serioziteti dhe punët të kryen sipas marrëveshjes.
Po në vendet tona shqiptare, a keni investuar?
Në Strugë po, ndërsa në vendet tjera shqiptare ende jo. Në Strugë kemi Qendrën Tregtare “Drini Mall“ dhe disa biznese të tjera të cilat menaxhohen nga vëllezërit e mi Miseni dhe Argjendi.
Përveç që njiheni si biznesmen, ju njiheni edhe për mbështetjen e shumë aktiviteteve kulturore, sportive të shqiptarëve që organizohen në Austri. Çfarë ju nxit të bëni këtë?
Është më se e nevojshme t`i mbështesim aktivitetet tona shqiptare, gjithmonë kur kemi mundësi. Ato aktivitete organizohen nga njerëz vullnetarë, pa përfitime personale. Janë të domosdoshme sepse përmes tyre ruajmë kulturën, traditën, gjuhën, me fjalë tjera, ruajmë kombin tonë. Kam kaluar edhe unë personalisht nëpër këto rrethana, dhe e di shumë mirë se çfarë është dhe si ndihesh kur kërkon mbështetjen e dikujt. Qoftë edhe me një pije nëse të ndihmon, ndihesh falënderues, e lere më me gjëra të tjera. Është përgjegjësi morale dhe kombëtare.
Kontributi juaj është vërejtur edhe në fillim të pandemisë, pra gjatë bllokimit të parë të kufijve shtetërorë, kur ishit ju që hapet dyert e banesave tuaja dhe iu ofruat strehim shumë bashkëatdhetarëve tanë të cilët rastësisht kishin mbetur në rrugët e Austrisë. Ç’mund të thoni për këtë?
Ishte rastësi. Më lajmëruan disa miq të mi dhe më thanë se disa familje shqiptare por edhe individë, kanë mbetur pa strehim nëpër rrugët e Vjenës. Ata nuk kishin mbetur pa para, por për shkak se hotelet dhe kujfitë u mbyllën, kishin mbetur pa strehim. Me kënaqësi lëshova disa banesa të cilat zakonisht i lëshoj për turistë të huaj që vizitojnë Vjenën. Ndihem shumë i lumtur që së bashku me disa miq por edhe ambasadat tona shqiptare këtu në Austri, arritëm të japim një kontribut të vogël dhe t’u dalim në ndihmë atyre familjeve dhe personave tjerë. Dyert e objekteve të mia do të jenë të hapura gjithmonë për cilindo bashkëkombës që ka nevojë për strehim.
E di që nuk dëshironi të flisni shumë rreth pasurisë, por megjithatë po ju pyes: Cila është pasuria juaj?
(Qeshet). Vërtet kam pasuri të madhe. Kam dy vajza dhe një djalë. Pra i kam tre fëmijë si drita. Kjo është pasuria ime. Çdo gjë tjetër është dytësore. Mund të kesh pasurinë e botës, por nuk të duhet asgjë, në rast se nuk ke njerëz afër vetës me të cilët rrinë, qeshesh, dhe të kënaqet shpirti me ta. Dje vajza e madhe e cila studion për mjekësi, kishte dhënë një provim. Ishte ditë shumë e lumtur për mua.
Në zyrat tuaja ngado që shikova, vura re pikura, skulptura shqiptare. Çka na thoni për këtë?
Mbase “fajtor” është Prizreni (qeshet). Është kulturë familjare. Jemi rritur me këtë kulturë dhe duhet të krenohemi me atë se kush jemi dhe nga vijmë.
Në anën tjetër kam parë që keni lidhje të ngushta edhe më politikanë shqiptarë dhe botërorë. Në një foto ju pashë edhe me Bill Klintonin. Çfarë ju lidh ju me politikanë dhe politikën shqiptare?
Me politikë nuk do të mirrem kurrë. Unë jam biznesmen por edhe patriot. Patrioti dhe politikani janë dy gjëra të ndryshme. Unë kam miq të shumtë që nga para lufta e Kosovës, gjatë luftës dhe pas luftës. Kam ruajtur kontaktet dhe fati i ka sjellë që shumë prej miqve të mi, sot janë në politikë, qoftë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia e Veriut. Po ashtu, tani kemi edhe Rrjetin e Bizneseve, i cili na ka dhënë mundësinë që të miqësohemi edhe më shumë, fillimisht mes veti e pastaj edhe figura dhe personalitete të ndryshme, qoftë nga jeta politike apo fusha të tjera jetësore.
Cila është familja juaj?
Familja ime e gjerë është: Kam babën Xhevitin dhe nënën Qibaretin. Kam dy vëllezër dhe një motër. Të gjithë të martuar dhe me fëmijë. Ndërsa unë dhe bashkëshortja ime Semie kemi tre fëmijë. Vajzën Denita e cila studion për mjekësi, vajza e dytë është Dea e cila është në gjimnaz dhe djali Arbani që po ashtu vijon mësimet në gjimnaz.
Si e kaloni kohën e lirë?
Gjatë kohës së lirë merrem më familje dhe më fëmijët kryesisht, ose me sport.
Ju keni qenë prej vitesh sportist i dalluar, veçanërisht në karate ku keni fituar edhe tituj ndërkombëtarë. Mund të na flisni pak për këtë periudhë?
Si fëmijë kam qenë gjithmonë i apasionuar pas sportit. Në atë kohë si gjithë të rinjtë tjerë e kishim si idol, Bruce Lee. Mirëpo, për shkak të situatës dhe rrethanave të asaj kohe, në Veleshtë nuk kishte mundësi për të pasur klube të karatesë apo të sporteve tjera luftarake. Kur shkova në Prizren, atje u anëtarsova në klubin e karatesë „Liria“. Kur u ktheva në Veleshtë, ishte hapur një klub i karatesë dhe fillova të prezantoj në turne të ndryshme këtë klub. Ishim shumë aktiv. Ishim të apasionuar për këtë sport, dhe fitonim shumë medale. Një kohë kam përfaqësuar edhe Maqedoninë në disa turne ndërkombëtare. Pastaj kur erdha në Austri, hapa klubin e karatesë të cilin e kam udhëheq për 11 vite. Përmes një klubi austriak, kam përfaqësuar Austrinë në shumë turne të ndryshme ndërkombëtare.
Për pak na iku edhe një detaj. Për shumë vite keni qenë bashkëfinancues i klubit futbollistik „Albania” i cili një kohë kishte suksese shumë të mëdha në ligat regjionale të Austrisë. Ku është sot „Albania“?
Ishte një krenari jo vetëm për mua por për të gjithë bashkëkombësit tanë në Austri për atë periudhë sa ishte klubi „Albania“. Ishte viti 2012, pra viti i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në atë vit dëgjova diku se po shitet një klub futbolli dhe bashkë me disa miq të mi biseduam rreth idesë për të formuar një klub futbolli shqiptar që luan në njërën prej ligave austriake. U bashkuam katër investitorë nga Veleshta dhe bashkëfinancuam për blerjen e klubit por edhe për formimin dhe organizimin e klubit “Albania”. Fillimi ishte brilant. Arritëm deri në vendet e para të ligës regjionale, por për fat të keq, pas pak vitesh klubi doli nga binarët dhe filloi të bie edhe interesimi. Kështu që klubi shkoi drejt shuarjes. Unë isha kryetar i klubit, dhe ndoshta mosgjetja e kohës për të qenë më pranë klubit, bëri që të na shuhet një nga gjërat më të mira që kishim bërë për komunitetin tonë në Austri por besoj për gjithë bashkëatdhetarët anë e mbanë Evropës.
Projekete e juaja për të ardhmën?
Tani jam 46 vjeçar, deri në moshën 56 vjeçar do të mundohem të ecim më këtë tempo, pastaj shohim dhe bëjmë. Ndoshta duhet të mendojmë për pleqërinë (qesh).
Faleminderit për biseden e hapur dhe të sinqertë nga ana juaj!
Faleminderit juve dhe gjithë redaksisë për punën që po e bëni në vazhdimësi. Kontributi juaj si Redaksi në Zvicër dhe Austri është vlerë e çmuar për kombin tonë.