Imami i Xhamisë në Krajkovë të Drenasit, Faruk Hoxha, e ka falur sot namazin e Fitër Bajramit me veshjen kombëtare.
Hoxha tha se qëllimi i mesazhit që ai deshti ta përcjellte ishte që feja dhe kombi janë sikur dy binjakë që nuk mund të ndahen nga njëri tjetri.
“Kombi dhe feja janë dy binjakë që nuk mund të ndahet. Kushdo që bën përpjekje t’i ndajë dy binjakë bëjnë krim. Mesazhi im ishte që mbi të gjitha ne jemi shqiptar. Dhe mbi të gjitha ne duhet të jemi krenar me rrënjet tona. Sikur një bimë nëse nuk ujitet dhe nuk ka kujdes për rrënjet e saj, atëherë ato prishen”, tha ai në Info Magazine.
Imami i Xhamisë në Krajkovë shtoi se veshja kombëtare është lënë anash nga gjeneratat e reja.
Madje ai tregoi se ka pasur vështirësi në sigurimin e kësaj veshje.
“Fakti se pse vendosa me u vesh me veshjen e të parëve tanë, veshjen që e përdorën edhe shumë heronj që kanë rënë për vendin tonë, është se sot e kam pasur në plan që të diskutojë obligimet ndaj atdheut tonë. Dhe përveç ligjërimit deshta që edhe në aspektin vizual të paraqes mesazh”, tha Hoxha.
“Unë kam pasur vështirësi që ti sigurojë një palë veshje të tilla. Dhe kjo më ka shqetësuar gjatë përgatitjes së temës për Bajram. Kur hyra në xhami në veshjen time shihej në sytë e xhematit, një mallëngjim dhe është pritur jashtëzakonisht mirë”, tregoi ai.