Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela pas vizitës që i bëri të Fata Alimit në burgun e Idrizovës përmes një deklarate ka sfiduar partitë politike shqiptare që janë në pushtet duke kërkuar nga ata që në zgjedhjet lokale të garojnë pa koalicione me partitë maqedonase, transmeton Alsat.
“Lëreni koalicionet ose me LSDM-në ose me VMRO-në. A jeni të gatshëm të përballeni me ne tek a tek. Hajdeni le të përballemi, ballë për ballë. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me një anë dhe Aliu me gjithë partitë shqiptare që janë në Qeveri nga ana tjetër. A e pranojnë këtë sfidë, po i pyes publikisht”, tha mes tjerash Sela.
I pyetur për koalicion të mundshëm në të ardhmen me VMRO-DMPNE-në, Sela tha se kjo gjë mund të ndodh vetëm nëse partia në fjalë reformohet.
“Protesta e para dy ditëve tregoi se ata aspak nuk janë të reformuar, sepse ato që i thonë mbrojtës të kushtetutës huliganëve, duhet të tregojnë se cilin segment të kushtetutës mbrojtën. Për derisa nuk shohim reformë me një mend tek këta që dalin dhe mbrojnë huliganët, nuk dallojnë nga huliganët. Bashkëpunimet do t’i kemi me ata që politikën e shohin si ardhmëri, paq, stabilitet dhe drejtësi mbi gjitha”, deklaroi mes tjerash Sela.