Kuvendi do mblidhet në seancë të jashtëzakonshme pas 25 prillit për shkarkimin e Ilir Metës, amerikanët do t’i çojnë dosjet SPAK për ta marrë të pandehur, kërcënimi ndaj SHBA si Sadam Hyseni dhe Muamar Gadafi vulos fundin e Metës
Gjithçka ka paralajmëruar dhe shkruar ‘Pamfleti’ për konfliktin e amerikanëve me Ilir Metën dhe Sali Berishën, u konfirmua mbrëmë.
Lufta gjysmë e fshehtë për jetë a vdekje e Ilir Metës kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos pas miratimit të reformës në Drejtësi, shpërtheu mbrëmë në publik, duke nxjerrë në pah të gjitha prapaskenat shokuese të saj. Mjaftoi një mesazh ultimativ i ambasadores amerikane, Yuri Kim, e cila paralajmëroi Ilir Metën me ndëshkim ligjor nëse nuk ndalonte thirrjet për luftë dhe trazira, që Meta të humbiste kontrollin dhe të fliste për fundin që i kanë rezervuar amerikanët.
Duke sfiduar amerikanët dhe duke u shpallur luftë si Sadam Hyseni dhe Muamar Gadafi, Ilir Meta tha se ambasadorja amerikane Yuri Kim e kishte kërcënuar që të mos bënte zhurmë kundër reformës në Drejtësi dhe për Ardian Dvoranin, pasi i dinte ca gjëra për të. Mesazhi ‘di ca gjëra’, nënkupton dosjet e krimit dhe korrupsionit që SHBA ka për Ilir Metën.
Ilir Meta u shpreh se: “Ajo më merr në telefon dhe më thotë “ti zotëri nesër mos bëj zhurmë po qe se këta e bëjnë kështu”. I them “moj zonjë ne kemi bërë një marrëveshje, se ky nuk është as anëtar i gjykatës së Lartë”. “Po ne dimë disa gjëra për ty”, më thotë mua kjo. Ambasadroja i thotë presidentit që dimë ca gjëra për ty. Çfarë dini për mua i nxirrni i thashë, se unë nuk e shkel Kushtetutën. Çfarë ke ti për mua dhe çfarë ka Amerika për mua mund ta nxirrni dhe unë këtë vagabond dhe horr nuk e pranoj. Ja kam thënë që nëse keni gjë me mua më lajmëroni nëse e keni me mua se unë e di që ju më vrisni nëse doni. Por të paktën, më çoni te Mali me Gropa dhe më lëshoni një raketë që të mos dëmtoni njerëzit e tjerë”.
Më tej Meta tha se “po të jetë se kemi frikë nga Amerika se ka aeroplanmbajtëse dhe raketa, ka edhe Rusia, duhet të kemi frikë edhe nga Rusia, ka edhe ky, koreano-veriori, edhe ai ka, por ne e duam për demokracinë”.
Një gjuhë të tillë kriminale kundër SHBA nuk e përdorin as liderët e Iranit dhe diktatori i Sirisë. Me këto qëndrime, që turpërojnë Shqipërinë dhe Kosovën, dhe që krijojnë një kosto të rëndë për kombin shqiptar, Ilir Meta ka vulosur fundin e tij politik. Menjëherë pas lajthitjes së Ilir Metës, në kampin e mazhorancës ka pasur lëvizje. Edi Rama ka zhvilluar konsulta me juristë, eksponentë të lartë të sigurisë, diplomacisë dhe politikës, por edhe me përfaqësues të SHBA-BE. Pas konsultave, është vendosur që pas zgjedhjeve të 25 prillit të nisin menjëherë procedurat për shkarkimin e Ilir Metës si President.
Nëse Ilir Meta do të bëjë rezistencë, në veprim do të hyjë policia, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Gramoz Ruçi do të jetë njeriu që do të zëvëndësojë Ilir Metën përkohësisht deri kur të zgjidhet Presidenti i ri. Pas shkarkimit, për Ilir Metën pritet të nisë një proces penal historik, më i bujshmi në historinë e pluralizmit shqiptar.
Në duart e SPAK do të përfundojnë edhe dosjet që kanë përfaqësuesit amerikanë, për të cilat Yuri Kim paralajmëroi Metën, kur i kërkoi të mos bënte zhurmë. Edi Rama dhe Sali Berisha, në periudha të ndryshme, kanë përgatitur 30 dosje krimi dhe korrupsioni për Ilir Metën./Pamfleti