Deputetja e LSDM-së, Bisera Kostadinovska Stojqevska përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se edhe përkundër se është e infektuar me koronavirus, do të shkoj në seancën e 32-të dhe 36-të të Kuvendit, transmeton Alsat. Stojqevska thotë se është furnizuar me pajisje mbrojtëse.
“Po arrij në Kuvend, me pajisje të plota mbrojtëse për COVID-19, për të marrë pjesë në seancën e sotme në të cilën ne do të miratojmë ligjet që ofrojnë ndihmë financiare për mijëra qytetarë dhe kompani. Nuk do të lejojmë shantazhe! Detyra ime si deputete është e përhershme dhe fisnike. Të shëndoshë dhe të sëmurë, unë kam detyrimin të bëj gjithçka që qytetarët të marrin ndihmën që Qeveria u ka dhënë. VMRO-DPMNE-ja dhe opozita mund të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që ata kishin për qëllim, kundër njerëzve – por kot, ne do ta përfundojmë punën sot”, ka shkruar mes tjerash Stojqevska.
Ndryshe, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi për sot në ora 14 ka planifikuar vazhdimin e seancës së 32-të, dhe pas përfundimit të saj, pritet të vazhdojë seanca e 36-të, e cila përfshin ligjet nga pako e pestë e masave ekonomike. Nga grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së thonë se ata nuk do të marrin pjesë në seancën e 32-të, por do të jenë të pranishëm dhe do të votojnë vetëm për ligjet nga paketa e pestë e masave. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, paralajmëruan se do të ndihmojnë rreth kuorumit.