Disa vende të varfra, të alarmuara që vendet e pasura po marrin miliona vaksina për COVID-19, po vendosin të mos presin vaksinat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe organizata të tjera dhe kanë filluar të nënshkruajnë marrëveshjet e tyre për vaksinat.
Juan Carlos Sikaffy,president i Këshillit të Biznesit të Hondurasit, i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” se Hondurasi “nuk mund të presë për proceset burokratike ose vendime të gabuara” për t’u dhënë qytetarëve “qetësinë” e ofruar nga vaksina COVID-19.
Këshilli i Biznesit Privat të Hondurasit nënshkroi një marrëveshje për blerjen e vaksinave, përmes një garancie bankare.
Edhe Serbia gjithashtu po blen vaksina në treg megjithëse ka paguar 4 milion euro për programin COVAX të OBSH-së, një mekanizëm i krijuar për të shpërndarë vaksinat kundër koronavirusit në mënyrë të drejtë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se ai nuk mund të priste për COVAX-in, duke parë vendet e pasura të blinin kaq shumë doza.
Të njëjtën gjë po bën edhe Shqipëria, e cila ashtu si Serbia dhe vende të tjera ka porositur vaksina me COVAX-in, por qeveria ka thënë se ka arritur një marrëveshje edhe me kompaninë Pfizer.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha të premten se 75% e të gjitha vaksinave për COVID-19 në të gjithë botën janë injektuar në vetëm 10 vende, ndërsa gati 130 vende nuk kanë bërë asnjë vaksinë.
Në konferencën e zakonshme për shtyp të agjencisë në Gjenevë, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se ka pothuajse 130 vende me 2.5 miliardë njerëz gjithsej që nuk kanë dhënë asnjë dozë të vetme vaksine.
Zoti Tedros tha se disa vende më të pasura tashmë kanë vaksinuar pjesë të mëdha të popullsisë së tyre me rrezikshmëri më të ulët sëmundjeje të rëndë ose vdekjeje.
Një mënyrë për t’i bërë vendet më të varfëra më pak të varura nga vendet më të pasura është rritja e prodhimit të vaksinave në të gjithë botën.