Oda e Pavarur e Gastronomëve thotë se nuk ka asnjë ndikim ndaj pandemisë nëse objektet do të jenë të hapura deri në orën 21 apo deri në orën 23, por për gastronomët, zbutja e paralajmëruar e masave do të kishte ndikim pozitiv në punën e tyre. Në mënyrë që ky sektor të kthehet në normalitet, siç pretendojnë ata, është e nevojshme të kthehet orari i vjetër i punës. Kjo do të thotë që të punojnë deri në mesnatë gjatë ditëve të punës, ndërsa deri në orën 1 pas mesnate gjatë fundjavave. Ndërkohë, ata i bëjnë thirrje shtetit që të mos i harrojë masat e tjera.Gastronomia pa subvencione të pagave për punonjësit në periudhën e ardhshme nuk do të durojë. Masa e dytë ishin kreditë shtesë, të destinuara vetëm për sektorin e gastronomisë – tha Zdravko Josifoski- Oda e pavarur e gastronomeve.
Në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë, me rekomandimin e Komisionit të sëmundjeve infektive, restorantet dhe kafenetë pas 21 janarit, në vend të orës 18:00, do të jenë të hapura deri në orën 21:00. Që nga fillimi i pandemisë, ky sektor ka pasur masa të shumta kufizuese duke shkurtuar orët e punës, ndalesë për muzikë të gjallë, organizimin të festimeve, ahengjeve, dasmave dhe të ngjashme. Tani për tani, gastronomët i shfrytëzojnë të gjitha masat që janë në dispozicion si, subvencione për paga dhe kredi pa interes. Por, ata kërkojnë që në pakon e ardhshme të masave, Qeveria t’i trajtojë veçmas nga pjesa tjetër e ekonomisë, pasi pretendojnë se kufizimet ndikojnë më shumë në punën e tyre.
Andrea Çobanova