Komisioni për zgjedhje dhe emërime në Kuvend konfirmoi më në fund atë që mediat mësuan jozyrtarisht muaj më parë. Kandidati i BDI-së për kryeministër shqiptar në zgjedhjet e korrikut, Naser Ziberi, është propozim për Avokat të popullit. Zërat që Ziberi do të vijë në këtë pozitë kishin dalë menjëherë pas zgjedhjeve por kurrë nuk ishin konfirmuar zyrtarisht.
“Ju të gjithë e dini se z. Zyberi është noter dhe ai vazhdon veprimtarinë e tij si noter deri në një moment kur do të arrihet të dakordohemi për ndonjë përgjegjësi të rëndësishme që ka të bëjë me profesionin e tij’ deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
OJQ-të kishin kritikuar ashpër procedurën për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e Avokatit të popullit duke e cilësuar si jotransparente dhe të fshehur qëllimisht duke lënë dyshime se partitë tashmë ishin dakorduar për një emër. Procedura jotransparente për zgjedhjen e Avokatit të ri të popullit, sipas OJQ-ve, anëtare të Rrjetit për mbrojtje nga diskriminimi, ua kishte mohuar të drejtën e aplikimit të gjithë kandidatëve të interesuar. Kuvendi dhe partitë e shumicës parlamentare e kishin cilësuar procedurën si ligjore kurse këto të fundit kishin mohuar që gjatë koordinimit për konkursin e Avokatit të popullit të jetë diskutuar për emra konkret.
Historia u përsërit edhe gjatë ditës. Komisioni për zgjedhje dhe emërime në të cilin duhej të diskutoheshin emrat e kandidatëve u caktua më pak se dy orë përpara fillimit të seancës. Informacioni në media u shpërnda kur vendimi ishte sjell dhe Komisioni kishte propozuar Ziberin si kandidat të cilin duhet ta konfirmojë plenumi. Në faqen elektronike të Kuvendi nuk figurojnë as emrat e kandidatëve të tjerë që kanë aplikuar për këtë pozitë, as biografitë e tyre, as materiale nga seanca dhe as video materiale, edhe gjashtë orë pas përfundimit të seancës. Ziberi është jurist dhe noter por gjatë zgjedhjeve të fundit u pozicionua politikisht duke qenë kandidat për kryeministër i partisë shqiptare në pushtet. Përzgjedhjet me prapavijë politike në këto pozita, janë në kundërshtim me rekomandimet ndërkombëtare. Nëse zgjidhet, Ziberi do të vijë në pozitën e Ixhet Memetit, kandidati që ushtrojë postin për 16 vite ose dy mandate.
Një mandat i Avokatit të Popullit zgjatë 8 vjet, me të drejtë të rikandidimit edhe për një mandat.
Fatlume Dervishi