Të shtunën fillon fushata zgjedhore për kryetarë komunash në Shtip dhe Pllasnicë. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve përgatitet që dy ditë para datës zyrtare të zgjedhjeve, më 11 dhjetor të votojnë personat me vendim për izolim. Për në Shtip, KSHZ-ja përgatit pesë këshilla të posaçëm zgjedhor të cilët do të realizojnë votimin e këtyre personave. Shtipi aktualisht është ndër komunat më të prekura nga virusi korona me mbi 470 raste aktive.
Si në zgjedhjet e kaluara, ashtu edhe në këto zgjedhje ne kemi miratuar udhëzues me të cilin parashikohet që këtë votim ta zbatojë këshilli i posaçëm zgjedhor i përbërë nga personal mjekësor. Ministria e Shëndetësisë na ka dorëzuar informacionet për personalin mjekësor. Siç e shihni, secilën ditë kemi më shumë raste pozitive ose njerëz në izolim”-tha Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.
Në komunën e Pllasnicës, si pasojë e numrit më të ulët të personave në izolim, do të ketë vetëm një këshill të posaçëm zgjedhor. Personat e infektuar dhe ata me vendim për izolim do të mund të paraqiten në formë elektronike për të kërkuar të realizojnë të drejtën e votës. Afati për paraqitjen e tyre skadon një javë përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, 13 dhjetorit.
Në komunën e Shtipit në garë për kryetar janë pesë kandidatë kurse në atë të Pllanicës janë dy. VMRO-DPMNE-ja vendosi të mos kandidojë asnjë kuadër të saj, pasi nuk u pranua kërkesa për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve.
Kërkesë që zgjedhjet në Shtip dhe Pllanicë të shtyhen dhe të mbahen në afatin e zgjedhjeve të rregullta në tetor të vitit të ardhshëm kishte bërë edhe opozita shqiptare. Pushteti refuzoi kërkesën duke thënë se opozita kërkon të pengojë proceset demokratike.
Fatlume Dervishi