Kreu i qeverisë Zoran Zaev shprehet kundër një mbyllje të serishme të shtetit në mbrojtje të COVID-19. Kryeministri Zaev tha se ora policore dhe karantina do të jenë opsionet e fundit ndaj valës së re të pandemisë, duke u bërë thirrje qytetarëve t’i respektojnë masat mbrojtëse në mënyrë që të mos përkeqësohet situata për skenarin më të keq shëndetësor dhe ekonomik.
Të gjitha sugjerimet e reja të KSI-së do t’i respektojmë, por unë personalisht nuk jam mbështetës i një ‘lock down’ apo të mbylljes së plotë. Nuk përkrahi as orën policore, por mbështes çdo nismë të parandalimit të përhapjes së mundshme të infektimeve. Qeveria ka mekanizma, nuk është vetëm gjendja e jashtëzakonshme apo ligji. Kemi mundësi të shpallim gjendje krize sipas ligjit përkatës të mikro-regjioneve, regjioneve apo të gjithë shtetit”-tha Zoran Zaev, Kryeministër i RMV-së.
Nga ana tjetër sistemi shëndetësor është duke u mobilizuar me të gjitha kapacitetet mjekësore dhe objektive. Ministri Filipçe tha se edhe studentët e vitit të 6 të Mjekësisë janë angazhuar me punë praktike në Qendrat e Shëndetit Publik, në Institutin e Shëndetit Publik dhe në Inspektoratin Shtetëror Sanitar Shëndetësor, të cilët përgatisin anketa epidemiologjike dhe mbikëqyrje të personave të kontaktit me të sëmurët.
Situata nëpër spitale është me gatishmëri të plotë, në barakat modulare te Klinika infektive ende nuk ka pacientë të shtruar. Por kanë arritur mjekët nga klinikat e tjera ku atje duhet të punojnë së bashku me kolegët infektolog dhe infermieret nga të gjitha klinikat interne dhe kirurgjike sipas orareve që i përpiluam me drejtorët e këtyre institucioneve”-pohoi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Ndërkaq, në ambulancën modulare të Pulmologjisë për 1 muaj janë kryer rreth 1,820 ekzaminime mjekësore. Brenda ditës 80 pacientë me sëmundje të mushkërive si kategoria më e rrezikuar për të pësuar nga CoVid-19, kontrollohen aty ndaras nga pacientët e tjerë me simptoma të virusit korona. 16 projektet për spitale modulare nëpër qytetet e tjera ende nuk janë realizuar, ndërkaq reparte infektive anë mbanë vendit janë pothuajse të mbushura. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në repartet e Tetovës, Ohrit, Velesit, Kumanovës, Prilepit, Gostivarit, Strumicës, Strugës dhe Koçanit aktualisht në kushte spitalore janë duke u kuruar mbi 200 pacientë të prekur nga virusi korona.
Adnan Qaili