Përfundimisht Qeveria e publikoi platformën nacionale, përmes të cilës nxënësit do të mund të ndjekin mësimin nga distanca. Ndërsa në anën tjetër të dhënat e Ministrisë së Arsimit tregojnë se 40 000 fëmijë nuk kanë asnjë pajisje IT. Për këtë ministrja Milla Carovska, deklaroi se si zgjidhje kanë paraparë që ky grup i nxënësve mësimin ta ndjekin nga televizioni nacional.
Milla Carovska, ministre e Arsimit
“40 000 fëmijë në shtet me siguri nuk do të kenë pajisje IT, të cilat do të mund t’i përdorin në kushte shtëpie dhe kjo nuk mund të tejkalohet për një periudhë 1 mujore. Por, pikërisht për këtë, për të gjithë ato fëmijë do të ketë orë të cilat do të jenë të vendosura në televizionin nacional dhe përmes tyre ato do të mund të kenë qasje në informacionet që duhet ti marrin në shkollë, kurse shkollat do të jenë ato që do duhet të pritojnë materialet dhe t’i dërgojnë tek familjet dhe t’i kthejnë mbrapa”.
Në prezantimin e platformës kryeministri Zoran Zaev u shpreh se ajo është shumë e thjeshtë për përdorim dhe e njejta do të jetë në 5 gjuhë. Ai i bëri thirrje prindërve që të jetë partner me mësimdhënësit, në implementimin e kësaj platforme.
Zoran Zaev, kryeministër
“Ne si qeveri dhe unë si kryeministër e japim mbështetjen e pa-rezervë për implementimin e kësaj platforme. Ju ftoj dhe ju prindër që të jeni partner me mësimdhënësit. Të nderuar mësues ju jeni kyç në këtë proces. Shteti do të vazhdoj ta vlerësoj mundin dhe kualitetin e juaj. Besoj se kjo platformë do t’ju shërbej dhe do t’i forcoj kapacitetet e sistemit tonë arsimor. Të dashur fëmijë, të dashur nxënës, e ardhmja është në teknologji. Mësimi i mirë ndërton qytetarë të lirë dhe forcon ekonominë dhe demokracinë”.
Prezantimi i platformës u simulua përmes një ore mësimi në lëndën e informatikës, në të cilën morën pjesë 11 nxënës. Mirëpo, sipas ministres, kjo nuk nënkupton maksimumin e numrit të nxënësve që mund të ndjekin orën mësimore njëkohësisht.
Emine Ismaili /SHENJA/