LSDM dhe BDI thonë se nga takimet intensive që kanë pasur ditëve të fundit është arritur përparim serioz në pothuajse të gjitha çështjet që çojnë në një marrëveshje për qeverinë. Në komunikatën e përbashkët të dy partive thuhet se gjatë ditës së nesërme pritet takim në nivel kryetarësh për marrëveshje përfundimtare për krijimin e qeverisë së re.
“Duke pasur parasysh urgjencën dhe nevojën për të vënë shpejt në veprim institucionet kryesore në vend për të adresuar sfidat shëndetësore dhe ekonomike që lidhen me Covid-19, nesër do të mbahet një takim kryesor midis Kryetarëve Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev ku pritet një marrëveshje përfundimtare për një qeveri të re, të qëndrueshme, të përkushtuar me një mandat katër vjeçar”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Dy partitë gjithashtu theksojnë se ditëve në vijim pritet të vazhdojë seanca konstitutive për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.