Liderët e partive politike pritet që të hënën të ulen edhe njëherë për të shqyrtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në muajt e ardhshëm. Nga Kabineti i Presidentit Stevo Pendarovski, konfirmuan për ALSAT se takimi i liderëve është planifikuar të mbahet të hënën në ora 12. Ndërkohë, njëri nga kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare procesi të vëzhgohet edhe nga OSBE/ODIHR-në po plotësohet. Këtë e konfirmuan për Alsat nga Ministria e Punëve të Jashtme, të cilët thonë se pas kontaktit me ODIHR-në kanë marrë përgjigje pozitive.
Ministria e Punëve të jashtme
“Përgjigjen e morëm dhe në këtë moment mund të ndajmë me opinionin se është pozitive. Më shumë detaje do të njoftojmë në takimin e liderëve të hënën, për shkak se është korrekte që fillimisht liderët politik të njoftohen me përmbajtjen e letrës para se ajo të publikohet”.
Ndërkohë, dje Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i ka dërguar letër presidentit Stevo Pendarovski për ta njoftuar se nuk mund të organizojë zgjedhjet në afatin e mbetur prej 22 ditëve, duke u bazuar në dekretin e Qeverisë. Kjo për shkak se duhet të caktohen afate të reja për përsëritjen e procedurave që çojnë deri tek lista zgjedhore e saktë.
Për një pjesë të aktiviteteve të cilat kanë përfunduar (inspektimi publik, dorëzimi i kërkesës për regjistrim, ndryshimi ose fshirja e të dhënave në listën zgjedhore e të tjera) duhet të caktohen afate të reja për përsëritjen e tyre, a në funksion të sigurimit të listës zgjedhore kredibile dhe të saktë në ditën e zgjedhjeve.
Ditë më pare Komisioni për sëmundje infektive publikoi edhe protokollin për mbajtjen e zgjedhjeve, me të cilin qytetarët gjatë votimit do të jetë në sigurt nga infektimi me Virusin Korona..
Mefail Ismaili