Vendi duhet të shfrytëzojë mundësinë e parë për të mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ka deklaruar kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, për “Utrinski brifing”. Sipas tij, kur nuk ka Kuvend funksional dhe zgjedhje të anuluara, rimëkëmbja e shtetit duhet patjetër të bëhet nga ata që do të marrin besimin e qytetarëve. Sipas kreut të LSDM-së, VMRO-DPMNE dhe Mickovski frikohen nga zgjedhjet.
Pres që Maqedonia e Veriut të shfrytëzojë momentin e parë për të mbajtur zgjedhje. Pse? Sepse nuk mund ta dimë kur do të kemi mundësi të dytë. Bota flet, por edhe ekspertët tonë e thonë atë se në vjeshtë mund të ndodhë të përsëritet kriza…Gjithkund opozita kërkon Parlament funksional, kërkon foltoren ku mund të flas, kërkon të jetë korrektues i pushtetit dhe ngjashëm, vetëm tek ne opozita është kundër kësaj pune. Unë e kuptoj këtë për shkak se opozita është frikësuar nga zgjedhjet. Unë këtë e vërej gjithë këto ditë nga intervistat e liderit të opozitës, nga udhëheqësit e VMRO-DPMNE-së dhe këtë unë e kam të qartë – deklaroi Zoran Zaev, LSDM.
Gjykata Kushtetuese të mërkurën do të vendos nëse do të pranojë iniciativën e një anëtari të saj dhe që të ngrejë procedurë për Kushtetutshmërinë e shpërbërjes së Kuvendit më 16 shkurt dhe shpalljes së zgjedhjeve. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski thotë se iniciativën në Gjykatën Kushtetuese do ta komentoj pas vendimit eventual të saj. Ai nënvizoi edhe njëherë se VMRO-DPMNE nuk i ka prioritet zgjedhjet.
Të presim që Gjykata Kushtetuese të shprehet dhe atëherë ne si politikanë do ta komentojmë nga këndvështrimi jonë vendimin që do e sjellin ajo. Në tre prioritetet e para të VMRO-DPMNE-së nuk janë zgjedhjet, prioritet i parë është se si pandemia përfundimisht kjo të mbetet pas nesh. Prioritet i dytë është të ngremë në këmbë ekonominë, për shkak se ekonomia do të thotë jetë. Dhe e treta do të thotë të kthejmë vetëbesimin mes qytetarëve të Maqedonisë pasi ai ka humbur. E gjithë kjo ndikonte tek vetë ndjenjat e qytetarëve – tha Hristijan Mickovski, VMRI-DPMNE.
Edhe nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi thonë se qëndrimin e tyre do ta shprehin atëherë kur Gjykata Kushtetuese të sjellë vendimin lidhur nismën për rikthimin e punës së Kuvendit.
Mefail Ismaili