Fatkeqësisht ka kaluar mjaft kohë e gjatë që kur situata në vend për shkak të virusit mori kahe të rrezikshme duke mos arritur të përmirësohet gjendja aspak edhe përkrah të gjitha masave të ndërmarra nga qeveria pikërisht për shkak të mos funksionalitetit të shtetit dhe nga pa aftësia e atyre që e drejtojnë atë.
Aleanca për Shqiptarët me vëmendje ka ndjekur situatën e krijuar që nga fillimi dhe vazhdimisht ka propozuar masa krahas masave që qeveria ndërmerrte por, këto masa për shkak të egoizmit politik të partive qeverisëse gjithmonë kanë hasur në vesh të shurdhër. Por, ne të shurdhër nuk mund të qëndrojmë sepse gabimet e qeverisë, po kushtojnë jetë njerëzish!
Është fakt se vendimet merren në baza ditore, mungon strategji për menaxhim të rasteve të tilla e veçanërisht protokoll për këtë që për rezultat e bëjnë RMV-në të ketë numrin më të madh të të vdekurve nga virusi në rajon( në 1 mil banor=26 të vdekur).
Nuk kemi të bëjmë me një problem sepse, sistemin shëndetësor e kanë ngarkuar shumë probleme të kamotshme për të cilat ne si parti kemi reaguar vazhdimisht dhe sot neglizhenca e qeverisë për vite me radhë e ka bërë edhe më të vështirë situatën me virusin!
Mungesa e infektologëve, epidemiologëve, reanimatologëve, mjeteve mbrojtëse elementare, kalimi nga mbrojtja defensive në mbrojtje ofensive kundër infektimit në tajming të vonuar shkaktoi sjellje të masave tepër rigoroze dhe rigide, gjë që solli më shumë kundër efekt sesa rezultate efikase duke shkaktuar te pacientët panik dhe ndjenjë pasigurie.
Është absurde që të sëmurët kronik nuk mund të pranojnë terapitë e tyre për shkak se shteti ende nuk ka siguruar klinikë të caktuar me ambient të dekontaminuar dhe për rezultat ka gati 1 muaj që këta persona nuk kanë pranuar terapitë e caktuara duke harruar se po i ekspozojnë në rrezik të hapur nga sëmundjet ekzistuese.
Është e pa tolerueshme që Qendra Universitare Klinike “Nënë Tereza” në Shkup në këtë kohë është shndërruar në punishte ku ndërtohet rrugë nga hyrja kryesore deri te klinika infektive duke shkaktuar kaos, pluhur dhe rrezikshmëri për infektim të punëtorëve fizik. Shumë klinika brenda Qendrës Universitare kanë reduktuar në maksimum punën që rrezikon shëndetin e popullatës nga sëmundje tjera.
Duke u fokusuar vetëm në një problem qeveria ka harruar mijëra probleme tjera që rrezikojnë njësoj shëndetin publik!
Spitali Klinik në Tetovë nuk përmbush as kushtet elementare për përballim me virusin pasi që Reparti i Infektologjisë daton që nga vitet e ‘70-ta pa asnjë renovim dhe personel adekuat.
Spitali në Strugë gati se ndan të njëjtin fat me atë Tetovës në të cilin nuk ka pasur investime infrastrukturore nga vitet e ‘60-ta -‘70-ta, edhe pse premtimet e BDI-së në çdo cikël zgjedhor përmbanin edhe ndërtimin e këtij spitali. Premtimet boshe të BDI-së për ndërtim të spitaleve po i paguan edhe Dibra pa asnjë investim në shëndetësi.
Skandalet nuk kanë fund as në spitalin e Kumanovës, edhe përskaj papërgjegjësisë së drejtoreshës së spitalit qysh nga rasti i parë i të infektuarës që ndërroi jetë, mos sigurimi i mjeteve mbrojtëse për personelin e deri tek dhënia e pushimeve mjekësore për njerëzit e saj të afërt të punësuar në spital ende nuk është ndërmarr as edhe një vërejtje kundër saj, edhe pse numri i mbi 20 të infektuarve nga reparti i infektologjisë dhe reparteve tjera duhej të rezultonte me dorëheqjen e saj!
Kjo qeveri po i lë qytetarët pa sistem shëndetësor sepse çdo ditë po bëhemi dëshmitar se si mjek të ndryshëm nuk pranojnë pacientët për kontrolle nga frika e infektimit! Si mund të presim që kjo qeveri ta mbarojë me sukses këtë sfidë kur qytetarët nuk kanë se ku të drejtohen për mjekim!
Megjithatë është i padiskutueshëm edhe mundi i gjithë mjekëve dhe infermierëve që në mënyrë të pa rezervë bëjnë punën e tyre në këto kohë të vështira. E nga ana tjetër personat që janë të thirrur për ta menaxhuar situatën e shfrytëzojnë këtë rast për ta promovuar veten, duke harruar që paaftësinë e tyre nuk mund t’ua amnistojë asnjë paraqitje mediatike.