Qytetarët në Republikën Çeke mund të blejnë në disa dyqane, të luajnë tenis dhe të notojnë. Austria planifikon të rihapë dyqanet e vogla pas Pashkëve. Danimarka do të rihapë kopshtet dhe shkollat gjatë javës së ardhshme, nëse rastet e reja me koronavirus qëndrojnë në këtë nivel. Kurse Norvegjia planifikon një rikthim në normalitet më të avashtë, shkruan A2 CNN.
Këto janë shtetet e para të Perëndimit që po nisin të heqin kufizimet për jetën e përditshme të vendosura për të frenuar përhapjen e virusit pandemik. Këto vende do të monitorohen për të nxjerrë mësime nga heqja e izolimit, me një vendim që duket si i nxituar dhe i shtyrë kryesisht nga presioni ekonomik dhe social.
Doktor Peter Drobac, një ekspert i shëndetit global në shkollën e biznesit të Oksford, thotë për CNN se lehtësimi i kufizimeve në këto vende është një shembull i rëndësishëm dhe shpresëdhënës për Perëndimin. Megjithatë, pohon se ka ende shumë për të mësuar lidhur me mënyrat e sigurta dhe efikase të daljes nga izolimi.
Asnjë nga këto shtete që planifikojnë lehtësimin e masave, nuk bëjnë pjesë tek ato më të prekurat në Europë. Sipas Drobac, të gjithë këto vende kanë diçka të përbashkët: ishin ndër të parët që respektuan me përpikmëri distancimin social dhe rritën shkallën e testimeve për koronavirus.
Megjithatë, shkenctarët kanë një mendim tjetër për lehtësimin e kufizimeve. Një studim i bazuar në Kinë dhe i publikuar nga revista shkencore “The Lancet”, sugjeron se gjendja e izolimit në të gjithë botën duhet të hiqet plotësisht vetëm pasi të jetë arritur një vaksinë kundër koronavirusit.