Me vonesë prej një orë e gjysmë në Gjykatën Penale filloi seanca për rastin “Monstra” të PPS-së. Shkak për prolongimin ishte alarmi i kyçur në ndërtesën e re të Gjykatës Penale. Për shkak të pamundësisë që të shkyçet alarmi, u ndërpre furnizimi me energji elektrike në gjykatë. Pas tejkalimit të problemit, të punësuarit, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, të cilët prisnin para ndërtesës së gjykatës u kthyen në sallatat e gjykatës.
Në seancën e sotme për rastin “Monstra” deklaratë japin ekspertët e balistikës dhe mjekët e Mjekësisë ligjore. Profesori i Institutit për mjekësi ligjore, Zllatko Jaqoski para gjykatës tha se ai dhe profesoresha Biljana Janevska atë natë kanë qenë për ekspertizë në vendin e vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.
“Pesë viktimat janë vrarë ku janë gjetur dhe në periudhë të shpejtë kohore”, tha Jaqoski, duke shtuar se viktimat kanë vdekur nga më shumë plagë të shkaktuara nga armë zjarri, gjë që tregon se vendi i ngjarjes ka qenë pikërisht aty.
Jaqoski tha se trupi i peshkatarit Borçe Stefanovski është gjetur pranë automjetit me fytyrë të kthyer nga automjeti, ndërsa në duar ka pasur çelësa. Në kofanon e automjetit është gjetur një ind truror.
Familjarët e djemve dhe peshkatarit të vrarë nuk morën pjesë në seancën e sotme, pasi, siç theksuan paraprakisht, është shumë e dhimbshme për ta dhe nuk do të mund t’i ndjekin dëshmitë.
Rasti “Monstra” nga shkurti i këtij viti filloi nga fillimi dhe akoma ndodhet në procedurë dëshmuese.
Për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill 2012, kur janë vrarë djemtë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stafanovski, me burgim të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailloviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta. Gjykata Supreme në dhjetor të vitit të kaluar i pezulloi aktgjykimet dhe rastin e ndërmori PPS.