Rezultati i zgjedhjeve në Bërvenicë duket se ka forcuar ambiciet politike të Ziadin Selës dhe Lidhjes Shqiptare për betejat e ardhshme.
Pas fitores së Arkin Jahijit, Sela ka vendosur në fokus dy objektiva të tjerë politikë: rikthimin e Kërçovës dhe fitoren në Butel.
Duke uruar Jahijin dhe shqiptarët e Bërvenicës për rezultatin e arritur, Sela e përshkroi fitoren si një zhvillim të rëndësishëm, që sipas tij duhet të shërbejë si motivim për angazhim të mëtejshëm.
Ai vlerësoi vendosmërinë dhe punën e bërë gjatë procesit zgjedhor, ndërsa një falënderim të veçantë ia adresoi mërgatës shqiptare, për të cilën tha se edhe një herë tregoi mbështetjen dhe përkushtimin e saj.
Sipas Selës, fitorja në Bërvenicë nuk duhet të shihet si pikëmbërritje, por si një shtysë për sfidat që vijojnë, me synimin për rikthimin e Kërçovës dhe sigurimin e fitores në Butel.














