TRE NXËNËS NUK ISHIN PROBLEM DJE. PSE JANË PROBLEM SOT?
Frëngova jonë meriton më shumë, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët tanë!
Në shkollën tonë, nxënësit e klasës së parë dhe të tretë po përballen me një vendim krejtësisht të pakuptimtë. Si prind i një vajze në klasën e tretë, shpreh pakwnaqesine time ndaj ketij vendimi sepse të heshtësh para këtij degradimi mendoj se është gabim. Nuk jam kundër ligjeve, por jam kategorikisht kundër mënyrës se si po bëhen eksperimente mbi kurrizin e fëmijëve tanë.
Pyetja ime e thjeshtë: këta fëmijë e filluan klasën e parë vetëm me 3 nxënës dhe mësimi vazhdoi rregullisht. Pse atëherë ishte e mundur, ndërsa sot paraqitet si problem?
Kur erdhi koha për klasën e dytë, mësuesja që i mori këta tre fëmijë nuk vazhdoi me ta, por mori përsëri një klasë të parë me më shumë nxënës. Ndërsa fëmijëve tanë u caktua një mësuese tjetër, e cila sot ka dalë në pension. A u mendua ndonjëherë për vazhdimësinë e këtyre fëmijëve, apo u bë thjesht një rregullim i çastit? Nga jashtë duket qartë se komoditeti i sistematizimit të stafit u vu para interesit të nxënësve.
Dhe sot, zgjidhja më e lehtë që u vendos është që një mësuese të zhvillojë mësimin me klasën e parë dhe të tretë në të njëjtën kohë!
Pavarësisht arsyetimeve me udhëzime e normativa për mësimin e kombinuar, pyetja ime si prind mbetet mjaft praktike:
Kur nxënësit e klasës së parë do të mësojnë shkronjat e para, si do të përqendrohen nxënësit e klasës së tretë? Kur mësuesja do të merret me lëndët më të avancuara të klasës së tretë, kush do t’u kushtojë vëmendjen e duhur më të vegjëlve që sa po hedhin hapat e parë? Si mund të pretendojmë arsim cilësor kur e njëjta orë mësimore ndahet përgjysmë?
Fëmijët tanë nuk janë numra në tabelë dhe as faturë e një planifikimi të dështuar. Nuk bëhet arsimi me teke e as me arna administrative. Sepse sa herë që ligjin e bën Maliqi dhe këta Maliqët tanë zgjedhin rrugën më të lehtë burokratike për vete, faturën e paguan e ardhmja e fëmijëve tanë!
Dua ta bëj krejtësisht të qartë: ky reagim nuk ka asnjë prapavijë politike, por pikwrisht prej politikave të tilla të mbrapshta në Maqedoni kemi arritur sot në këtë gjendje! Jemi lodhur duke parë se si çdo gjë këtu funksionon me prapaskena e me pazarlliqe partiake, ku interesat e ngushta të pushtetit vendosen gjithmonë para njerëzve. Dhe kur politika e futur kudo dikton edhe jetën e përditshme, faturën e këtij dështimi e paguajnë gjithmonë fëmijët tanë!
Frëngova nuk kërkon lëmoshë e as privilegje. Kërkon atë që u takon me ligj të gjithë fëmijëve: arsim cilësor, mësim të organizuar siç duhet dhe mundësi të barabarta. Një fshat nuk duhet të dënohet me arsim të gjymtuar vetëm sepse ka më pak nxënës në një paralele.
Shkolla nuk është thjesht një ndërtesë me katër mure dhe mësimi nuk është thjesht sa për të thënë se u plotësua ditari. Arsimi është e ardhmja e fëmijëve tanë. Dhe për këtë të ardhme ia vlen të flasim, të pyesim dhe të mos heshtim!
INVESTIMI NË ARSIM NUK ËSHTË SHPENZIM, ËSHTË INVESTIM NË TË ARDHMEN!
Frëngova jonë meriton më shumë. Fëmijët tanë meritojnë më shumë!
Dr.Zekman Dauti- prind














