Sipërmarrësi Eglent Bici ka denoncuar atë që e quajti “shkatërrim dhe vjedhje” të biznesit të tij, gjatë protestave në Tiranë.
Sipas tij, “të protestosh është e drejtë dhe mbështes protestën dhe studentët, por asnjë kauzë nuk të jep të drejtën të hysh në pronën time, të shkatërrosh punën time dhe të rrezikosh njerëzit që mund të ndodhen brenda”, përcjell A2.
Postimi i plotë i sipërmarrësit:
Mbrëmë gjithë natën dhe sot mes dëmeve, thyerjes, shkatërrimit dhe vjedhjes në zyrën tonë më rri në mendje një pyetje:
Po sikur të kisha qenë brenda?
Po sikur në ato momente të kishte qenë aty një nga kolegët e mi? Po sikur të kishim qenë ende duke punuar, siç na ndodh shpesh deri vonë?
Çfarë do të kishte ndodhur? Çfarë do të më kishit bërë nëse do t’ju kisha dalë përpara dhe do t’ju kisha thënë: “Ndal! Kjo është prona ime. Kjo është puna ime. Nuk keni të drejtë ta prekni!”?
Nuk e di përgjigjen. Dhe pikërisht kjo më trondit më shumë se dëmet materiale.
Ju keni hyrë brenda, deri në katin e dytë. Keni dëmtuar kompjutera, keni shpërndarë dokumente, keni thyer dhe keni hedhur sende përtokë, keni marrë edhe vulën. Pse?
Çfarë ju kishte bërë ajo zyrë? Çfarë ju kishim bërë ne?!
Për mua, biznesi është shtëpi. Në disa kuptime, ta prekësh është edhe më rëndë: sepse nga puna aty mbahet shtëpia. Aty sigurojmë të ardhurat, mbajmë familjet, ndërtojmë të ardhmen e fëmijëve tanë.
Ne kalojmë aty më shumë se gjysmën e kohës sonë aktive. Aty kemi gëzimet, shqetësimet, lodhjen, shpresat. Aty ka ditë të bukura dhe net pa gjumë. Ka vite pune që nuk duken kur sheh vetëm një tavolinë, një kompjuter apo një tabelë me emrin MEI Realty.
Ju shihni sende për të thyer dhe shkatërruar; Unë shoh vite të tëra të jetës sime. Shoh mundin e kolegëve të mi. Shoh përgjegjësinë që kemi ndaj familjeve tona.
Për mua, kjo është e shenjtë.
Prandaj sot jam i zemëruar. Jam i lënduar. Ndjehem i vrarë në dinjitet. Dhe refuzoj ta kaloj këtë me një ngritje supesh: “Kështu ndodh në protesta.”
Jo! Nuk duhet të ndodhë. Dhe nuk duhet të mësohemi me të! Refuzoj ta pranoj.
Të protestosh është e drejtë dhe mbështes protestën dhe studentët. Por asnjë kauzë nuk të jep të drejtën të hysh në pronën time, të shkatërrosh punën time dhe të rrezikosh njerëzit që mund të ndodhen brenda.
Nuk i fus të gjithë protestuesit në një thes. Por ata që hynë dhe shkatërruan zyrën time u sollën si huliganë. Dhe emri i asnjë proteste nuk ua fshin përgjegjësinë.
Edhe kazanët, semaforët dhe rrugët janë të komunitetit tonë. I paguajmë ne. I përdorim ne. Shkatërrimi i tyre godet jetën tonë të përditshme.
Kërkoj që autorët të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi. Nëse pas tyre ka njerëz që i kanë paguar, nxitur apo organizuar, të hetohen edhe ata. Deri në fund.
Por sot, mbi të gjitha, dua t’u flas si njeri atyre që e bënë këtë:
Si do të ndiheshit nëse dikush do t’ju hynte në shtëpi dhe do t’ju hidhte gjithçka përtokë? Nëse do të shkelte me këmbë punën e prindërve tuaj? Nëse brenda do të ishte njeriu juaj i dashur?
Kështu ndihem unë sot.
JU NUK MË PËRFAQËSONI. Dhuna juaj nuk ka mbështetjen time. Dhe heshtjen time nuk do ta keni edhe nëse vini përsëri dhe e shkatërroni zyrën fare.
Zyrën do ta rregullojmë. Do të ngrihemi nesër dhe do të punojmë përsëri. Por askush të mos e ngatërrojë forcën tonë për të vazhduar me pranimin e asaj që na bëtë.
PRONA IME, PUNA IME DHE SIGURIA E NJERËZVE TË MI NUK JANË SHESH PËR DHUNËN E ASKUJT. (A2 Televizion)














