Sektori për Punë të Brendshme Tetovë – Sektori për Krim Kompjuterik, në koordinim me Sektorin për Krim Kompjuteri dhe Forenzikë Digjitale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, e ka zbardhur plotësisht rastin lidhur me videon e publikuar në rrjetin social “TikTok”, në të cilën shihet djegia e flamurit maqedonas.
Më datë 22.09.2026, gjatë monitorimit të rrjeteve sociale, zyrtarët policorë kanë detektuar një video me përmbajtje me të cilën është kryer vepra penale “nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit mbi bazë kombëtare, fetare dhe baza të tjera diskriminuese”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 319, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Pas masave dhe aktiviteteve operative të ndërmarra, më datë 23.09.2026 është vërtetuar identiteti i autorit të profilit. Bëhet fjalë për një të mitur nën moshën 14-vjeçare nga Tetova.
Në hapësirat e policisë, në prani të prindit dhe përfaqësuesve nga Qendra për Punë Sociale Tetovë, me të miturin është zhvilluar një bisedë zyrtare, me ç’rast ai e ka pranuar veprën. Me pëlqimin e prindit, për nevojat e procedurës dhe fotodokumentimin e provave, është sekuestruar telefoni celular nga i cili është ngarkuar videoja.
Gjatë bisedës zyrtare, i mituri ka treguar edhe tre të mitur të tjerë që kanë marrë pjesë në ngjarje. Ata gjithashtu do të thirren në stacionin policor për zbardhjen e plotë të rastit.
Pas dokumentimit të plotë të lëndës, deri te Prokuroria Themelore Publike kompetente në Tetovë do të dorëzohet parashtresa përkatëse.













