Mbyllja e shkollave në Bogovicë, Pohum, Zhepin dhe Nerez nuk është thjesht një vendim administrativ. Është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj jetës së këtyre vendbanimeve dhe një shtysë tjetër drejt shpërnguljes.
Ju që morët vendimin për të mbyllur këto shkolla, a e keni menduar se çfarë mesazhi po u dërgoni banorëve?
Në vend që të krijohen kushte që familjet të qëndrojnë, që fëmijët të mësojnë pranë shtëpive të tyre dhe që fshatrat të kenë jetë e perspektivë, po mbyllen dyert e shkollave, pra po mbyllen edhe dyer të së ardhmes.
Bogovica, Pohumi, Zhepi dhe Nerezi nuk janë thjesht emra në një hartë. Janë vendbanime me histori, familje, fëmijë dhe njerëz që kanë të drejtë të jetojnë, punojnë dhe edukojnë fëmijët e tyre aty ku kanë lindur.
Ky është një mjerim në një kohë kur shpërngulja po zbraz vendbanimet tona, mbyllja e shkollave është pikërisht veprimi i kundërt nga ajo që duhet të bëjë një pushtet serioz.
Një shkollë nuk është vetëm një ndërtesë por është zemra e një komuniteti, është vendi ku rriten fëmijët.
Është arsyeja pse një familje zgjedh të qëndrojë.
Kur mbyllet shkolla, familja fillon të mendojë për largimin. Dhe kur largohen familjet, fshati fillon të shuhet.
Prandaj ky nuk është thjesht një vendim për katër shkolla.
Është një vendim për të ardhmen e Bogovicës, Pohumit, Zhepit dhe Nerezit.
Dhe po, ky është një gabim historik që do të na kushtojë shumë.
Sepse një shkollë mund të mbyllet me një firmë, por një komunitet që shpërbëhet nuk rikthehet me një firmë tjetër.
Mos i zbrazni fshatrat tanë. Mos ua merrni fëmijëve të drejtën për të pasur shkollën e tyre. Mos e ktheni shpërnguljen në politikë zyrtare.
Struga ka nevojë për shkolla të hapura, jo për dyer të mbyllura.
Lindim Etemi













