Një tërmet me magnitudë 5.0 është regjistruar mëngjesin e së shtunës në provincën Malatya, në lindje të Turqisë, bëri të ditur Autoriteti për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD).
Sipas të dhënave të AFAD-it, lëkundjet sizmike u regjistruan në orën 06:20 sipas kohës lokale (03:20 GMT), me epiqendër në zonën Battalgazi. Tërmeti kishte një thellësi prej 15.59 kilometrash.
Lëkundjet u ndjenë edhe në disa provinca përreth, përfshirë Elazigun, Adiyamanin, Tuncelin dhe Sanliurfën. Deri në momentet e para pas goditjes, autoritetet nuk raportuan për dëme materiale apo persona të lënduar.
Ministri turk i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, tha përmes platformës sociale turke “NSosyal” se situata po monitorohet dhe se, deri tani, nuk janë evidentuar probleme pas tërmetit në Battalgazi.
“Deri më tani nuk janë konstatuar probleme, por po vazhdojmë të shqyrtojmë të gjitha raportimet”, deklaroi Kurum.













