
Dje u shënua 35 vjetori nga inaugurimi i shkollës së re në Zagraçan, një ngjarje që mbetet e paharruar për banorët e Zagraçanit, Shumit dhe mbarë rrethinës.
Më 6 janar 1991, inaugurimi u shndërrua në një manifestim madhështor gjithëpopullor shqiptar, i paprecedent jo vetëm në zonë, por edhe më gjerë.
Sipas dëshmive të kohës, në këtë tubim morën pjesë rreth 15 mijë qytetarë, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare të Maqedonisë, Kosova dhe Shqipëria. Manifestimi u shoqërua me këngë, brohoritje dhe valëvitje të flamurit kombëtar, duke i dhënë ngjarjes një peshë të veçantë historike dhe simbolike.
Pas përfundimit të manifestimit në shesh, masa e tubuar, e udhëhequr nga veteranët e luftës Mehmed Mehmedi, Jahja Shaholli, Kariman Saliu, Dalip Abedini, Kamber Baftiari dhe Shaziman Shazimani, u drejtua drejt oborrit të shkollës së re. Aty u bë prerja simbolike e shiritit të inaugurimit, në prani të mijëra pjesëmarrësve.
Megjithatë, ngjarja pati edhe pasoja të rënda për disa nga organizatorët. Pas inaugurimit, Mehmed Mehmedi dhe Jahja Shaholli u dënuan dhe vuajtën mbi një muaj burg në burgun e Ohrit.
Sot, 35 vjet më pas, inaugurimi i shkollës së re në Zagraçan kujtohet si një akt guximi, uniteti dhe krenarie kombëtare, që la gjurmë të thella në historinë e arsimit dhe të rezistencës kulturore shqiptare në këto troje.
(Struga Ekspres)

















