Një gjest i veçantë humanizmi dhe përgjegjësie qytetare është realizuar nga Mahir Lumani nga fshati Fierisht dhe mërgimtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ka dhuruar vullnetarisht 100 libra për bibliotekën e SHFK “Ashim Agushi” në Ladorisht, njofton Struga Ekspres.
Ky donacion përbën një kontribut të çmuar në pasurimin e fondit librar të shkollës dhe në krijimin e kushteve më të mira për nxënie, lexim dhe zhvillim kulturor të nxënësve.
Drejtoria e shkollës “Ashim Agushi” ka shprehur mirënjohjen më të thellë për këtë donacion domethënës, duke theksuar se librat do të shërbejnë si burim frymëzimi dhe dijeje për nxënësit. Një falënderim i veçantë vjen edhe nga ana e bibliotekistit të shkollës, Arif Ajredini, i cili e vlerëson këtë kontribut si një ndihmë të rëndësishme në pasurimin e bibliotekës dhe në zhvillimin e aktiviteteve letrare dhe edukative.
Ky gjest fisnik i Mahir Lumanit mbetet një shembull i shkëlqyer i përkushtimit të mërgimtarëve ndaj arsimit dhe komunitetit të vendlindjes.




(Struga Ekspres)













