Gashi: Forcimi i integritetit publik, thelbësor në luftën kundër korrupsionit
Kryeparlamentari Afrim Gashi, mori pjesë në Forumin Rajonal me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, ku theksoi se korrupsioni paraqet një nga sfidat më serioze për shoqëritë demokratike.
Në fjalën e tij, Gashi vuri në pah se “korrupsioni nuk është vetëm shkelje ligjore, por një dëm moral dhe institucional që cenon besimin, zhvillimin dhe konsolidimin e shoqërisë”, duke nënvizuar se lufta kundër këtij fenomeni kërkon institucione të forta dhe përgjegjësi të vazhdueshme.
Ai theksoi se Parlamenti mbetet i përkushtuar në forcimin e integritetit publik, duke shtuar se “integriteti nuk matet me deklarata, por me mënyrën si funksionon shteti, si ndërtohen marrëdhëniet me qytetarët dhe si projektohen reformat”.
Në fund, Kryeparlamentari falënderoi organizatorët e forumit duke vlerësuar se “ngjarje të tilla forcojnë vizionin tonë të përbashkët për institucione më të përgjegjshme dhe shtet më transparent”.















