Deklaratë për media – në emër të grupit të këshilltarëve të AKI Strugë
Sot duam të informojmë opinionin publik për dy çështje të rëndësishme që lidhen me punën e Këshillit Komunal të Strugës.
Së pari, si grup këshilltarësh kemi votuar pro zgjerimit të buxhetit komunal. Duam të jemi shumë të qartë: pa votat tona kjo pikë nuk do të kalonte. Vendimi ynë ishte i përgjegjshëm, sepse mosmiratimi i zgjerimit të buxhetit do të krijonte pasoja serioze për arsimin dhe punonjësit e institucioneve arsimore, për funksionimin e shkollave, çështja me ngrohjen e objekteve shkollore, pagat e të punësuarve dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor. Ne votuam për interesin publik dhe jo për interesa politike.
Së dyti, qëndrimi i sotëm i VMRO-s se janë shkelur procedurat dhe se seanca e sotme eshte ne kundërshtim me ligjin, është konfirmim i drejtpërdrejtë i qëndrimit tonë që nga fillimi. Që në seancën konstituive, ne kemi thënë hapur se është shkelur Ligji për Vetëqeverisje Lokale dhe Rregullorja e Punës së Këshillit. Sot, ky qëndrim po konfirmohet edhe nga kolegët tanë.
Ky është një moment i rëndësishëm, sepse tregon se kur argumentet janë të qarta, kur mbrohen parimet ligjore dhe transparenca, edhe ata që fillimisht mendonin ndryshe detyrohen të pranojnë realitetin.
Ne do të vazhdojmë të kërkojmë respektim të ligjit, transparencë dhe funksionim normal të Këshillit Komunal. Qytetarët e Strugës nuk duhet të jenë viktimë e ngërçeve politike.
Për ne, interesi i qytetarëve është prioriteti ynë.
Faleminderit.
Faton Pollozhani-Këshilltar













