Numër shqetësues i ulët i lexuesve në bibliotekë, pavarësisht një qyteti që ka rreth 62 mijë banorë,njofton Struga Ekspres.
Në bibliotekën e Strugës, sipas të dhënave deri në muajin prill, janë regjistruar vetëm 235 të rritur dhe 264 fëmijë, gjithsej 499 lexues aktivë. Ndërkohë nga Komuna e Vevçanit janë regjistruar edhe 49 lexues.
Megjithëse këto shifra duken pozitive në pamje të parë, ato ngrejnë shqetësim kur krahasohen me faktin se Struga numëron rreth 62 mijë banorë. Kjo do të thotë se vetëm rreth 0.8% e qytetarëve shfrytëzojnë bibliotekën publike, një tregues aspak i kënaqshëm për një qytet me traditë kulturore.
Numri i ulët i lexuesve tregon qartë mungesën e aktiviteteve nxitëse, investimeve në fondin e librave dhe promovimit të kulturës së leximit.
Edhe pse Struga ka potencial të madh kulturor, këto të dhëna zbulojnë një realitet të hidhur, leximi po mbetet në hije. Institucionet kulturore pritet të marrin masa konkrete për ta kthyer bibliotekën në një qendër më dinamike dhe më të aksesueshme për komunitetin.
(Struga Ekspres)













