Në vigjilje të Ditës Botërore të Filozofisë, nxjerrim në dritë botimin e ri të librit universitar “Filozofia e së Drejtës”, një botim i rëndësishëm akademik që kontribuon në pasurimin e literaturës juridike dhe filozofike në vend.
Vepra është rezultat i një pune të thelluar shkencore dhe paraqet trajtim modern të institucioneve, parimeve dhe debatit bashkëkohor mbi filozofinë e drejtësisë.
Recenzentë të librit janë: Prof. Dr. Agim Nuhiu dhe Prof. Dr. Mersim Maksuti, ndërsa redaktor shkencor është Prof. Dr. Qebir Avziu.
Kontributi profesional i kolegëve të mi akademik garanton cilësi të lartë shkencore, qartësi konceptuale dhe rreptësi metodologjike të librit.
Libri “Filozofia e së Drejtës” u dedikohet në radhë të parë studentëve të fakulteteve juridike në qendrat universitare të Tetovës, Shkupit, Prishtinës, Tiranës dhe më gjerë.
Ky libër do t’u ndihmojë studentëve të kuptojnë jo vetëm normat juridike, por edhe pse ekzistojnë ato norma dhe cilat parime filozofike i mbështesin. Në këtë mënyrë, studentët e drejtësisë do të zhvillojnë të menduarit kritik, do të shpjegojnë origjinën dhe arsyetimin e normave juridike, do të njohin teoritë kryesore mbi drejtësinë, të drejtën dhe shtetin, si edhe do të lidhin konceptet etike me sistemet juridike bashkëkohore.
Libri u dedikohet gjithashtu gjyqtarëve, prokurorëve, noterëve, përmbaruesve, punonjësve të institucioneve ligjzbatuese dhe të gjithë të interesuarve të tjerë që synojnë të kultivojnë aftësitë për të menduar në mënyrë kritike, për të kuptuar më thellë parimet e së drejtës, për të fuqizuar argumentimin juridik në mënyrë logjike dhe racionale, si dhe për të ndërtuar një vizion të ri mbi strukturën filozofike të sistemit juridik.
Filozofia e së drejtës është boshti teorik i rendit juridik. Pa të, ligjet do të ishin thjesht rregulla të ftohta, pa vlera, pa drejtësi dhe pa koherencë.
Filozofia e së drejtës luan rol të rëndësishëm në:
1. Forcimin e themeleve konceptuale të rendit juridik.
2. Përcaktimin e kritereve të vlefshmërisë së normave juridike.
3. Orientimin e proceseve të krijimit të ligjeve.
4. Vendosjen e parimeve të drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut.
5. Interpretimin e ligjeve nga gjyqtarët, prokurorët etj.
6. Mbrojtjen e rendit juridik nga arbitrariteti dhe abuzimi i pushtetit.
7. Zhvillimin e kulturës juridike.
Mbarësi dhe lexim të këndshëm!
Autor:Prof. Dr.Ferat Polisi












