Thursday, April 18, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeKulturëRuzhdije Ajro, ishte mësuesja dhe këngëtarja e pasionuar nga Ladorishti (FOTO)

Ruzhdije Ajro, ishte mësuesja dhe këngëtarja e pasionuar nga Ladorishti (FOTO)

Shkruan
Bexhet Asani (Struga Ekspres)

RUZHDIJE AJRO NJË MËSUESE DHE KËNGËTARE E PASIONUAR
(1939 – 1993)
(Rastin e 80 vjetorit të lindjes)

Ruzhdije Ajro
Vitin shkollor 1968-69 vijova mësimet në klasën e pestë, te tetëvjeçarja “Ashim Agushi” të Ladorishtit, po godina shkollore gjendej midis fshatit Zagraçan dhe Ladorisht, sipas kadastrës i takon territorit të Zagraçanit. Ajo godinë në kohën e kolektivit, aty nga vitet pesëdhjetë të shekullit të njëzetë, ishte “Shkollë e mesme bujqësore”, gjer vonë mbante këtë mbishkrim në cirilik!
Aty takova shoqe e shokë të tjerë nga fshatrat Frëngovë dhe Ladorisht. Aty njoha edhe mësuese, mësues e arsimtarë të tjerë. Një numër i madh i tyre punonin me përkushtim. Kësaj radhe kam menduar të shkruaj për mësuesen e muzikës Ruzhdie Ajro nga Struga me origjinë nga fshati Ladorisht. Nuk e di pse është shkruar aq pak, për mësueset dhe mësuesit veteranë!?
Cila ishte mësuese Ruzhdie Ajro? Ruzhdie Ajro u lind në qytetin piktoresk të Strugës në vitin 1939. Pas kryerjes së shkollës fillore dhe ndjekjes së kurseve arsimore, në vitin 1957, fillon punën si mësuese në shkollën fillore “Zini Hani” të Veleshtës si dhe në fshatin Dollogozhd.

Në të gjitha fshatrat ku punonte ajo udhëtonte me biçikletë ose edhe në këmbë. Përveç punës së saj të rregullt si edukatore, mësuese Ruzhdie Ajro si e re, me punën e saj vullnetare, jepte kontribut të madh, në arsimimin dhe ngritjen e nivelit kulturor, te vajzat dhe gratë fshatare shqiptare. Në fillim mbante kurse të amvisërisë pothuaj në të gjitha fshatrat e rrethit të Strugës. Më 1962 lëshon punën në Veleshtë dhe emërohet mësuese në shkollën fillore në fshatin e saj të origjinës në Ladorisht.

Në tetëvjeçaren e Ladorishtit Ruzhdia ligjëron lëndët Histori dhe Muzikë. Me punën e saj vetëmohuese, bashkë me nxënësit e saj, shkëlqente në garat komunale të Strugës dhe më gjerë, në muzikë dhe në histori. Disa herë është nderuar me vende të para në këto gara.
Aktivitetetet e Ruzhdije Ajros i kanë rënë në sy korrespondentit të gazetës “Flaka e vëllazërimit” Zejnel Lufi, ai i dërgon një shkrim “Flakës së vëllazërimit” me mbititullin Letër nga Struga dhe me titullin meritor “Rezultate në emancipimin e femrës”.

Në këtë shkrim mësuesja dhe aktivistja Ruzhdije Ajro i thotë gazetarit Zejnel Lufit: “I dua fëmijët dhe puna me ta për mua është gëzim dhe kënaqësi. Gjatë kohës së lirë, jam e angazhuar dhe punoj pranë Konferencës komunale për aktivitetin shoqëror të grave si dhe në organizatat tjera politiko-shoqërore. Me punë dhe diskutimet e mia në mbledhjet e ndryshme të organizatave shoqërore-politike mundohem që të jap kontributin tim për emancipimin e femrës në komunën e Strugës…”

Mësuese Ruzhdije Ajro me nxënësit e saj të dashur.
Ruzhdije Ajro ishte një talente e rrallë edhe për muzikë. Ajo kishte zë melodik, ishte një këngëtare e pasionuar. Vitet gjashtëdhjetë të shekullit njëzetë e quanin Fitnete Rexha e Strugës. Radio Shkupi i ka incizuar disa këngë të Ruzhdije Ajros.
Mësuese Ruzhdije Ajro ka ushtruar talentin e saj edhe në aktrim. Ka luajtur disa role, në disa drama. Ajo shquhej me karakteret e roleve të saj. Me grupet amatore nëpër fshatra e në qytetin e Strugës, kanë vënë në skenë disa drama serioze, në mesin e dramave të shumta ata kanë vënë në skenë edhe dramën “Nora” të Andrea Skanjetit. Në këtë dramë aktorja Ruzhdije Ajro luan rolin kryesor, atë të vajzës së re e tepër të guximshme që bëri histori të Norës heroike. Gjë që para publikut artdashës në Strugë e më gjerë në Maqedoni, ka lënë mbresa të thella.

Aktorja Ruzhdije Ajro në një nga rolet e shumtë të saj
Pas kryerjes së Normales në Shkup, më 1970 mbaron shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, për mësuese. Në vitet shtatëdhjetë u fut në politikë, për qëllime të caktuara politike, e vetëdijshme se vetëm në atë mënyrë do të mbronte interesat e shqiptarëve në Maqedoni. Arriti të zgjidhet anëtare e Dhomës politiko-shoqërore të Kuvendit Republikan të Republikës Socialiste të Maqdonisë. Me zgjuarsinë dhe aktivitetin e saj arriti të pranohet anëtare e Konferencës Federative për aktivitetin e grave të Jugosllavisë. Një arritje shumë e madhe për kohën, në një shtet të madh prej mbi njëzet milionë banorësh, e me popuj të ndryshëm. Parësore për të ishte arsimimi i popullit shqiptar në përgjithësi, si dhe emancipimi i motrave të saja shqiptare në veçanti.
Më 1976 e gjejmë si edukatore te çerdhja e qytetit të Strugës. Me aktivitetet të shumta politiko-shoqërore Ruzhdija sakrifikoi të ritë e saj, për mirëqenien e popullit. Në vitin 1981 edhe mësuesen dhe aktivisten e dalluar Ruzhdije Ajron e përfshiu vala e egër e diferencimit famëkeq politik. Me vendim të Komitetit Republikan të Maqedonisë shkarkohet nga të gjitha veprimtaritë shoqërore-politike. Etiketohet si nacionaliste e irredentiste. Pas gjithë atij aktiviteti të bujshëm, ajo largohet nga puna. Për një kohë jeton me paratë e kursyera. Pas këtyre presioneve politike, e zhgënjyer pa masë nga vëllazërim-bashkimi i popujve të Jugosllavisë, e pasigurtë dhe e vetmuar, vendosë të martohet në një moshë të shtyrë edhe atë në moshën 42 vjeçare. Më 1981 ajo dashuron berberin Nexhat Shashko nga Ohri, një burrë i pashëm e pedant. Ruzhdije Ajro edhe pse u martua, nuk la trashëgimtarë. Ndërroi jetë në vitin 1993, në moshën 54 vjeçare.
Mësuesja, aktorja dhe këngëtarja Ruzhdije Ajro shkoi shumë e re në amshim, por pas vetes la një sërë veprash, la gjurmë të thella, në historikun e arsimit në rajonin e Strugës, si pedagoge e shquar. Shëmbëlltyra e kësaj mësuese la mbresa të thella te nxënësit e saj të dashur.

Në kohën kur unë isha nxënës i tetëvjeçares mësuese Ruzhdije Ajro për veç lëndës së muzikës që ligjëronte, ajo merrej edhe me aktivitete të lira si gjithmonë. Atëbotë ajo udhëhiqte korin e shkollës tetëvjeçare “Ashim Agushi” të Ladorishtit. Për çudi në korin e saj më zgjodhi edhe mua. Isha i vogël dhe ende nuk mund të kuptoja në kisha talent për të kënduar apo më kishte zgjedhur se kishte simpati ndaj meje si nxënës i urtë, i sjellshëm e i kulturuar. Nuk më kujtohet në dhamë ndonjë shfaqje apo jo..! Por më kujtohet kënga e korit, më mirë të them mbaj mend vetëm këto dy strofa të asaj kënge:
Një shpizë, e vogël,
Pranë një burimi.
Me pemë perime,
Lule krejt rrethuar.

Refren
Mësuese fshatit je,
Në zemër nxënësit i ke.
I do dhe i mëson,
Për ta me gaz punon.
Ajo këndonte si një këngëtare profesioniste, me zërin e saj melodik e ushtonte klasa dhe mbyste zërat tanë, kur ne ia merrnim ulët apo ia merrnim lart këngës. Po ne atëherë nuk e dinim se para nesh kishim një këngëtare të pasionuar e një mësuese të përkushtuar me mish e me shpirt. Me tërë qenien e saj ishte përcaktuar për arsimimin dhe edukimin e brezit të ri. Vëllai i saj Vedat Ajro, kur ia tregova këto dy strofat e më sipërme, më shkroi: “Këtë këngë e kemi kënduar bashkë me motrën, unë luaja me kitarë e Ruzhdija luante me mandolinë.” Qoftë i përjetshëm kujtimi për mësuesn dhe këngëtaren e pasionuar Ruzhdije Ajron! U prehtë në paqe dhe shpirti i saj i ndritë nur!

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments