Nijas Lena, futbollisti strugan ja si e komenton situatën e fundit te kombëtarja
Qyteti, Slider, Sport

Nijas Lena, futbollisti strugan ja si e komenton situatën e fundit te kombëtarja

Ndeshjet e Shqipërisë për kualifikueset e Europianit që do të zhvillohen në muajin qershor, po afrojnë gjithmonë e më tepër. Në lidhje me situatën aktuale të kuqezinjve, ka folur edhe një figurë e njohur e sportit në trevat shqiptare, Nijas Lena.

Mesfushori që luan me Strugën, ka lënë një gjurmë të madhe edhe në Superiore. Në lartësi të madhe në fushë, por të njëjtin kalibër e ruan edhe me analizat e tij. “Shqiperia.ch” e ka kontaktuar Lenën për t’i marrë disa komente rreth gjendjes së Shqipërisë, atje ku është folur për shanset e Gentian Selmanit për të qënë titullar pas dëmtimit të Strakoshës, apo edhe për shiritin e kapitenit.

Edi Reja në krye të Kombëtares. Çfarë ndryshimi pret konkretisht dhe a mund t’i besohej një trajneri shqiptar?

Reja është njeriu i duhur për Kombëtaren për disa arsye, por mbi të gjitha duke parë gjendjen që na la Panuçi, pa dashur t’i mohojmë edhe punën e bërë. Për trajner shqiptar nuk ishte momenti i duhur për të ardhur në këto kohë. Por që patjetër në të ardhmen një i tillë duhet të udhëheq vendin, sepse ka disa që e meritojnë.

Kur shohim një formacion të mundshëm ndaj Islandës, dalim në përfundim se pak ndryshon nga koha e Panuçit. Po atëherë, ti je edhe vetë futbollist, si mund të ndryshoj historia e rezultateve?

Sa i përket formacionit Reja ka disa ditë kohë për të vendosur dhe parë lojtarët që kanë gjendjen fizike më të mirë. Gjithashtu duke parë edhe mënyrën sesi do të kryhen detyrat taktike në bazë të kundërshtarit që kemi përballë. Mendoj se po kalojmë një krizë rezultatesh momentalisht dhe nëse marrim një rezultat pozitiv, do të ngrihet morali edhe brenda ekipit.

Sulmi është pika e dobët e Kombëtares, me 6 sulmuesit tanë në Europë që kanë shënuar 15 gola gjithsej në kampionatet e tyre . Nga ta presim golin këtë herë?

Nuk janë vetëm sulmuesi problem i Kombëtares në këtë moment. Patjetër që është një numër i vogël i golave të shënuar nga sulmuesit aktual. Kjo ndodhë pasi ata nuk janë titullar në ekipet e tyre dhe luajnë pak minuta. Nëse nuk luan çdo fundjavë, nuk mund të vish në Kombëtare që të shpërthesh në gola.

Islanda është dëshmia se futbolli ka pak rastësi dhe shumë investime që në shkollat e futbollit. I kemi mundësitë për t’ia dalë, përtej pjesës së tifozllikut?

Islanda duhet të merret si shembull, pasi një vend i vogël ka rritur futbollin në rang botëror. E gjitha kjo pas investimeve në shkolla, duke punuar si e përkushtuar, erdhi edhe kualifikimi në Europian dhe Botëror. Mendoj se me ardhjen e trajnerit të ri me një karrierë të pasur, mundësitë për të marrë një rezultat pozitiv janë të mëdha, pasi ka shumë entuziazëm dhe motivim nga lojtarët, për të treguar vlerat.

Strakosha i dëmtuar, ndërsa Berisha dhe Hoxha janë në vijë të parë. Mos ndoshta është momenti për t’i besuar një të riu me aftësi të mëdha si Gentian Selmani?

Mesa shikoj unë, trajneri po i beson shumë elementeve të rinjë. Nëse i jepej shansi Gentian Selmanit, Kombëtarja do të fitonte një portier për të ardhmen pas Strakoshës, që sezon pas sezoni po rrit nivelin.

Çfarë përfaqëson për ty realisht shiriti i kapitenit Nijas? Te Kombëtarja ka ndërruar shumë krahë pas ikjes së Canës, por pa u kuptuar shumë vlera. Ndoshta duhet të ndërrohet edhe njëherë me Rejën lojtari që do të na udhëheq?

Për mua personalisht lojtari që ka shiritin, duhet të jetë lider në fushë dhe jashtë saj. Duhet të mendoj për ekipin në çdo moment dhe për secilin lojtar të jetë si një prind dhe shokë, mbi të gjitha të ketë vlera njerëzore. Nuk e di nëse do të ndërrohet përsëri shiriti, këta duhet ta vendosin vetë futbollistët, sepse e dinë më së miri se kush duhet të jetë lideri i tyre që mund t’i udhëheq në këtë rrugëtim të vështirë. Ledian Memushaj do të bënte shumë mirë në këtë drejtim. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

May 27, 2019

Struga Ekspres