Në mbledhjen e Komitetit Qendror dhe Ekzekutiv të LSDM-së ku do të caktohet kryeministri teknik, do të shqyrtohet edhe koalicioni i mëtejmë me BDI-në. Kryeministri Zoran Zaev thotë se çështja do të diskutohet në organet e partisë, për të parë nëse gjatë Qeverisë teknike, ndryshon diçka në raport me partnerin e koalicionit. I pyetur për negociatat dhe koalicionet e mundshme parazgjedhore me partitë shqiptare, Zaev vlerëson se akoma është herët për të vendosur për mënyrën e garës në zgjedhjet e 12 prillit.
“Në ato mbledhke do t’i shqyrtojmë të gjitha çështjen politike. Marrëveshje për koalicion, bashkëpunim ose diçka të tillë, nuk besoj se do të ketë para mesit të muajit shkurt. Listat për kandidatë duhet dorëzuar diku nga 12 marsi dhe duke pasur parasysh këtë afat, ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha argumentet për të vendosur se si do të rreshtohemi para qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare” tha Zoran Zaev, Kryeministër.