Sunday, November 24, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeMaqedoniZiadin Sela zbulon fa: Ja si e ka kapur gjyqësorin partia e...

Ziadin Sela zbulon fa: Ja si e ka kapur gjyqësorin partia e Ahmetit

Teksti i plotë – Ziadin Sela në konferencë për media

Sot kemi thirrur këtë konferencë për shtyp për të ndarë me ju një hulumtim të Aleancës për Shqiptarët në lidhje me kapjen e gjyqësorit, veçanërisht nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Gjatë viteve të fundit dhe veçanërisht pas skandalit të përgjimeve të vitit 2015, vazhdimisht kemi dëgjuar për fenomenin e kapjes së gjyqësorit, përfshirë nga Komisioni Evropian, raporti i Pribesë dhe organizata të specializuara antikorrupsion siç janë Amnesty International apo Freedom House.

Ende i kemi të freskëta kujtimet e bombave të Zaevit ku dëgjoheshin Ali Ahmeti, Musa Xhaferi dhe Blerim Bexheti tek sa emëronin dhe blinin gjykatës dhe prokurorë, për të siguruar pandëshkueshmëri për njerëzit e tyre.

Shtatë vite më vonë, nuk kemi parë thuajse asnjë dënim në rastet e korrupsionit dhe kriminalitetit të nivelit të lartë. Prokuroria Speciale Publike u korruptua dhe u shpartallua dhe për pasojë 40 procese ndaj më shumë se 150 zyrtarëve të korruptuar kanë mbetur të harruara në sirtaret e gjyqësorit.

Kjo dukuri vlen veçanërisht për zyrtarët e BDI-së siç janë rasti Maxhar Telekom i Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit, rasti Pacienti i Bujar Osmanit, apo rasti Titanik i Ejup Halimit, për të cilat që të gjithë janë amnistuar.

Shumëkush u shokua javën e kaluar me deklaratën e Ambasadores të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kate Byrnes, e cila, duke iu referuar një sondazhi të Eurothink-ut, tha se vetëm 8% e qytetarëve i besojnë drejtësisë në vend. Ambasadorja Byrnes si dhe Ambasadori i BE-së, David Geer, të dytë kërkuan këto ditë më tepër punë për të rikthyer besimin e qytetarëve në gjyqësor.

Por, si kemi ardhur deri këtu dhe cilat janë arsyet e vërteta të këtij mosbesimi kaq të shprehur ndaj drejtësisë, pavarësisë, paanshmërisë dhe efikasitetit të saj?

Ne dhe shumica e qytetarëve, besojmë se kjo vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e politizimit, partizimit dhe kapjes së gjyqësorit nga partitë në pushtet. Për të kuptuar ne të gjithë se si u thye besimi i qytetarëve në gjyqësor deri në këtë masë, Aleanca për Shqiptarët ka bërë një mapim të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në tërësi, për të zbuluar lidhjet partiake dhe familjare të gjykatësve dhe prokurorëve me BDI-në.

Ajo që kemi gjetur dhe që do ndajmë me ju në materialin në vijim është shokuese.

Jemi përballë një masakre të vërtetë të gjyqësorit, me dhjetëra gjykatës dhe prokurorë nën kontroll total të BDI-së. Pra, ajo që kemi gjetur tregon për një kapje sistematike nga BDI të secilës gjykatë dhe të secilës instancë prokuroriale, pa përjashtim.

Para se të shfaqim materialin, dua të theksoj se partia maqedone në pushtet, LSDM, njëjtë ka bërë kapje sistematike të gjyqësorit. Por, kësaj here kemi vendosur të fokusohemi vetëm te BDI e cila për disa vite me radhë tani, propagandon për veting në gjyqësor ndërsa nuk ka marrë as edhe një veprim në drejtim të përmbushjes së këtij premtimi zgjedhor. Arsyen se pse ata nuk kanë interes të bëjnë një gjë të tillë do ta kuptoni në vijim.

Fillojmë pra.
Para se të shkojmë te institucionet gjyqësore veç e veç, është me rëndësi të rikujtojmë se si organizohet sistemi i drejtësisë.

Një nga vlerat themelore të rendit tonë kushtetues, si në çdo shtet demokratik, është ndarja e pushtetit në tre degë: ligjvënësi, ekzekutivi dhe gjyqësori.

Pushtetin gjyqësor e ushtrojnë gjykatat, që interpretojnë dhe zbatojnë ligjin në emër të shtetit.

Prokuroria Publike ndjek kryerësit e veprave penale dhe të veprave të tjera të ndëshkueshme me ligj.

Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik ka për mision sigurimin e një gjyqësori të pavarur, të paanshëm, profesional dhe efikas, duke përgatitur kuadrot e reja dhe aftësuar ato ekzistuese.

Avokati i Popullit i mbron të drejtat kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve të cilat u janë cenuar nga organet e shtetit.

Dhe në fund, Ministria e Drejtësisë e cila, si organ i ekzekutivit, kryen detyra mbikëqyrëse dhe organizative sa i përket administratës shtetërore si dhe gjyqësorit dhe prokurorisë publike, gjithnjë duke u bazuar në parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve.

Por, ky sistem është kapur në tërësi nga ekzekutivi dhe veçanërisht nga BDI dhe ndarja e pushteteve nuk vlen si parim kushtetues në vendin tonë, siç do të shohim tani.

Kur flasim për kapje të gjyqësorit nga BDI, duhet të rikujtojmë që kjo parti në vazhdimësi ka patur ministra apo zëvendës ministra të drejtësisë, pa ndërprerë që nga 2011 e këndej.

Pra, kapësit e gjyqësorit kanë emër dhe mbiemër dhe ata janë : Blerim Bexheti, Adnan Jashari, Valdet Xhaferi, Bilent Saliji dhe Agim Nuhiu, që të gjithë ministra të Ali Ahmetit.

Fillojmë me gjykatat.

Këshilli Gjyqësor i propozon Kuvendit zgjedhjen dhe shkarkimin e gjyqtarëve. Ai vendos për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe vlerëson profesionalizmin e tyre.

Në Këshillin Gjyqësor, BDI ka instaluar Selim Ademin, një zyrtar i lartë partiak i ardhur direkt nga Ministria e Drejtësisë.

Gjykata administrative është organ i cili kontrollon ligjshmërinë e akteve të organeve të administratës shtetërore.

Aty BDI kontrollon hiç më pak se katër gjykatës :

– Kryetari i gjykatës, Burim Sejdini, ish Sekretar i Komunës së Zajazit.
– Gazmend Fejzuli të cilit Këshilli Gjyqësor ia mori imunitetin për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lëndën Titanik.
– Imsale Hasani, motra e Irfan Asanit, ish drejtor i Hekurudhave të Maqedonisë nga BDI.
– Eleonora Hamuliq Ajro, gruaja e prokurorit për krim të organizuar dhe korrupsion, Artan Ajro, për të cilin do të flasim më vonë.

Gjykata e lartë administrative vendos për ankesat kundër vendimeve të Gjykatës Administrative të miratuara në shkallë të parë, si dhe për konfliktin e kompetencave ndërmjet organeve të shtetit.

Aty BDI kontrollon dy gjykatës të cilët kujdesën që lëndët për abuzime zgjedhore të dorëzuara nga opozita të mos marrin epilog:

– Subhi Jakupi, ish Zëvendësministër i Drejtësisë dhe ish anëtar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor i emëruar nga BDI, nga ku dha dorëheqje për shkak të skandalit me pagat shtesë të zbuluar nga Ambasada amerikane.
– Rina Iseni, një ish zyrtare e Komunës së Tetovës, e Sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë dhe e Avokatit të Popullit.

Gjykata Supreme është gjykata më e lartë në vend dhe ka për mision sigurimin e unitetit në zbatimin e ligjeve nga ana e gjykatave.

Aty BDI ka vendosur Shpend Devajën, burrin e Teuta Arifit, nënkryetare e BDI-së dhe ish kryetare e Tetovës e larguar nga tetovarët në zgjedhjet e fundit lokale pas shumë aferave korruptive.

Gjykatat e apelit vendosin mbi ankesat e vendimeve të gjykatave themelore dhe për konflikte juridiksioni në mes tyre.

Edhe në këtë nivel, BDI ka instaluar njerëzit e vet:

– Shefajet Hajdari në Gostivar, gjykatës i afërt me Nevzat Bejtën dhe me pronarin e Durmo Turs i cili njihet si financues i BDI-së.

Gjykatat themelore janë instancat e shkallës së parë për çështje penale dhe civile.

Ky nivel është i stërmbushur me njerëz të BDI-së dhe do të veçoj vetëm disa:

– Osman Shabani në Shkup, një gjyaktës i afërt i Blerim Bexhetit, i cili ka sabotuar rastet Monstra, Toplik dhe Tenderi.
– Hasan Asani në Tetovë, ish kryetar dege i BDI-së në Bërvenicë dhe ish zyrtar qeveritar, i zgjedhur gjykatës në mënyrë të parregullt.
– Abdulla Azari gjithashtu në Tetovë, ish aktivist i BDI-së në Tearcë dhe ish zëvendës sekretar i përgjithshëm i Qeverisë.
– Amdije Zenku në Kërçovë, e cila në fushatën e 2008-ës ishte udhëheqëse e sektorit juridik në shtabin lokal të BDI-së në Kërçovë.

Kalojmë të Prokuroria Publike ku BDI-zimi poashtu ka arritur nivele alarmuese.

Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë është përgjegjëse për tërë territorin e vendit dhe procedon para Gjykatës Supreme. Anëtarët e saj përbëjnë Këshillin e Prokurorëve Publikë.

Tre nga katër Prokurorët Publikë shqiptarë janë njerëz të BDI-së :

– Ismail Dardhishta, ish ministër i drejtësisë.
– Xhelal Bajrami, ministër për punë dhe politikë sociale dhe ish zëvendës ministër për punë të brendshme në kohën kur u montua rasti Monstra, që u bë prokuror publik pa asnjë ditë përvojë pune në gjyqësor.
– Bashkim Besimi, djali i axhës së Fatmir Besimit

Prokuroria e Lartë Publike procedon përpara Gjykatave të Apelit.

Disa nga prokororët e BDI-së në këtë nivel janë :

– Mustafa Hajrullahi në Shkup, i dyshuar për shumë afera korruptive dhe që shpëtoi nga burgu Ejup Alimin dhe Ismet Gurin.
– Dilaver Bekteshi gjithashtu në Shkup, i cili ka qenë anëtar i BDI-së në Kërçovë dhe ka qejf të fotografohet me Ali Ahmetin.
– Nuhi Jusufi në Gostivar, i cili ka punuar në Komunën e Zajazit.

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit procedon lëndët e tilla në gjithë territorin e vendit.

Edhe këtu BDI mund të llogarisë në prokurorin Artan Ajro, ish zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, tani prokuror i njohur për skandalin e sekuestrimit të pronave të hipotekuara të Sead Koçanit në vlerë prej 17 milion euro.

Këtu, dua të theksoj se ngritja e një kallëzimi penal nga ana e Avokatit të Shtetit ndaj këtij prokurori të korruptuar bashkë me kolegun e tij Gavril Bubevski si dhe drejtorin e Policisë Financiare, Arafat Muharremi, për këtë rast, është një hap i vogël në drejtimin e duhur. Urojmë që prokurorja Ruskovska që sot të procesojë rastin dhe që e gjithë kjo të mos përfundojë si show mediatik si në rastet tjera.

Prokuroritë themelore publike procedojnë përpara gjykatave themelore.

Njejtë si gjykatat themelore, ky nivel është i stërmbushur me njerëz të BDI-së. Për të veçuar disa :

– Arsim Ademi në Gostivar, ish anëtar i BDI-së ndaj të cilit Komisioni antikorrupsion ka hapur lëndë dhe i cili është shquar për rikualifikimin e lëndës ku Kiçeec ka vrarë një qytetar me veturë si pakujdesi trafiku.
– Bashkim Hiseni në Gostivar, ish anëtar i BDI-së.
– Ahmed Ahmedi në Gostivar, ish drejtor i Entit për punë në Kërçovë. Ka hedhur poshtë lëndët e Nevzat Bejtës të ngritura nga Rufi Osmani.
– Rasim Dreca në Shkup, prokuror i afërt me BDI që po mbron Durmo Turs në rastin Llaskarca.
– Ermon Neziri në Shkup, prokuror i afërt me BDI që po mbron Ali Ahmetin dhe Musa Xhaferin në rastin Maxhar Telekom.
– Faton Azizi në Shkup, vëllai i Kaltrina Azizit, ish deputete e BDI-së.
– Ajser Ademi në Shkup, vajza e Ibush Ramadanit, ish zv. drejtor i Agjencisë për Investime të Huaja .

Shkojmë te Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë.

Kjo akademi e cila do duhej të ishte gardiane e pavarësisë së gjyqësorit, për zëvendës drejtor shqiptar ka Ilir Isenin, i cili është nipi i Ruzhdi Latës, ish kryetarit të Dibrës nga radhët e BDI-së.

Anëtar i këshillit drejtues është Osman Shabani për të cilin u fol më herët.

Dhe çfarë prodhon kjo akademi kur është fjala për gjykatës dhe prokurorë të rinj ? Më tepër BDI-zim të sistemit gjyqësor.

Dy prokurorë të rinj të emëruar rishtazi janë ilustrim perfekt i vazhdimit të kapjes së gjyqësorit :

– Blerim Besimi, djali i axhës së Fatmir Besimit.
– Arefat Veseli, ish zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili ishte shef shtabi i BDI-së në Likovë në zgjedhjet lokale 2021.

Në një vend normal, Avokati i Popullit do duhej të ishte mbrojtës i qytetarëve kundër abuzimeve të një gjyqësori të tillë.

Por edhe ky institucion është thellësisht i BDI-zuar, si çdo gjë tjetër në sistemin e drejtësisë.

– Ixhet Memeti, ish ministër i drejtësisë i BDI-së, ka bartur postin për dy mandate.
– Menjëherë pas tij, erdhi Naser Ziberi, kandidat i dështuar i BDI-së për Kryeministër në zgjedhjet 2020, i cili mori këtë post si shpërblim për shërbimin e mashtrimit që iu bë shqiptarëve.

Natyrisht, Avokati i Popullit i Maqedonisë së Veriut vazhdon të ketë status B në Rrjetin Evropian të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut, ekuivalent me statusin e vëzhguesit, ndër tjera për shkak të politizimit në emërimin e Avokatit të Popullit.

Pra, kemi kuptuar që sistemi gjyqësor në tërësi është në shërbimin e plotë të BDI-së dhe kundër interesit të shtetit dhe të qytetarëve.

Në secilin institucion gjyqësor, mjafton një thirrje nga Reçica e Vogël që të ndalen apo sabotohen ndjekjet penale saherë që preket interesi i BDI-së.

Metodat e gjyqësorit të kapur tanimë janë të njohura. Ato fillojnë qysh në fazën fillestare të hetimeve duke anashkaluar sistemin elektronik për shpërndarje të rastësishme të rasteve. Pra këta kujdesën që rasti ku preken interesat e tyre të shkojë në tavolinën e prokurorëve dhe gjykatësve të tyre që pastaj të njëtit të sabotojnë rastet përmes trikave siç janë : mospërmbushja e afateve për të filluar shqyrtimi pas dorëzimit të aktakuzës; stërzgjatja e procedurave për të parashkruar rastet; rifillimi i gjykimeve nga fillimi; mungesa e personave, prania e të cilëve është e domosdoshme për punën e gjykatës; vendime të ngadalshme për dëshmitë e pranueshme; dhe përbërje jo e tërësishme e këshillit gjyqësor.

Ky gjyqësor i BDI-zuar është ndër institucionet më pak të besuara nga qytetarët, sepse të gjithë tanimë e shohin për vite me radhë se si drejtësia është bërë selektive dhe padrejtësia rregull.

Por cila është zgjidhja karshi kësaj masakre të sistemit gjyqësor ?

Aleanca për Shqiptarët propozon një sërë zgjidhjesh për të siguruar një gjyqësor të pavarur. Prioritetet tona kryesore për të vendosur shtetin e së drejtës në kuadër të platformës së re politike të miratuar nga Kongresi i Aleancës për Shqiptarët më 27 mars janë si në vijim:

1. Komisioni Evropian duhet të kryejë vlerësime shtesë të shtetit të së drejtës, të udhëhequra nga ekspertë të pavarur, ngjajshëm me Raportin e Pribesë.

2. Duhet të themelohet një task forcë për reformën e gjyqësorit dhe për të bërë vlerësim gjithëpërfshirës të shkaqeve të kapjes së gjyqësorit.

3. Duhet përkrahje urgjente evropiane në fushën e shtetit të së drejtës, përmes krijimit të një task force të përbashkët këshillëdhënëse dhe monitoruese për shtetin e së drejtës. Kjo task forcë do të ketë për synim kryesor nxitjen dhe mbështetjen e kryerjes profesionale të hetimeve, ndjekjen penale dhe dhënien e dënimeve meritore përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe të krimit të organizuar, si dhe rishikimin e rasteve të montuara politike.

4. Duhet domosdoshmërisht zbatuar vetingun në drejtësi për të larguar gjykatësit dhe prokurorët e kapur dhe të korruptuar. Ky proces do të kryhet nga një organ i pavarur, i themeluar enkas për këtë arsye, në përputhje me standardet evropiane. Kjo është bërë e domosdoshme edhe nëse mbesim pa gjykatës dhe prokurorë siç thoshte ish Kryeministri Zaev i cili e dinte mirë se çfarë masakre kanë bërë bashkë me BDI-në.

5. Ligjet e reja për Gjykatat, Këshillin Gjyqësor dhe Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë duhet të ofrojnë kornizë për të përforcuar integritetin dhe llogaridhënien e gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe për të mbrojtur gjyqësorin nga ndërhyrjet politike. E njëjta duhet të vlejë edhe për Avokatin e Popullit.

6. Duhet riorganizuar gjykatat themelore dhe të apelit në bazë të rajoneve planore, me synim të rritjes së efikasitetit, uljes së ndërhyrjeve politike dhe krijimit të një gjyqësori më të afërt me qytetarin, më përfaqësues dhe më të besueshëm.

7. Duhet zbatuar digjitalizimin e plotë të gjykatave në përputhje me “Kornizën Strategjike të Këshillit të Evropës”, me fokus në optimizimin e operacioneve të gjyqësorit dhe interoperabilitetin ndërmjet institucioneve.

8. Duhet zbatuar “Open Data” në drejtësi me qëllim të përmirësimit të transparencës në sistemin gjyqësor dhe përfaqësimit proporcional të shqiptarëve dhe bashkësive jo shumicë në gjykata dhe prokurori.

Shteti i së drejtës është ndër vlerat themelore të shteteve demokratike dhe të Bashkimit Evropian. Përmbushja e standardeve themelore të tilla dhe lufta kundër korrupsionit janë jetësynimet tona kryesore dhe do të jenë edhe jetësynimet kryesore të qeverisjes së vendit nga Aleanca për Shqiptarët.

Faleminderit !

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!