Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela sot deklaroi se qeveria aktuale nuk ka arritur të realizojë premtimin kryesorë, respektivisht nisjen e negociatave për anëtarësim të vendit në BE. Sela në konferencën e sotme për shtyp në Kuvend propozoi takim liderësh ku sipas tij do të arrihej marrëveshje për Qeveri të zgjeruar që do të zhbllokonte procesin integrues.
“Ne bëjmë thirrje, ajo që është e logjikshme sepse nuk ka stabilitet Qeveria, ka dështuar në gjënë kryesore që e premtoi para qytetarëve, në interesin kryesorë që e ka Republika e Maqedonisë së Veriut, në anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Përfitimi në kohë, me deklarata prisni se ka kohë deri në dhjetor…nuk arrihet pa marrëveshje me shtetin bullgar, që janë shumë të qartë në lidhje me qëndrimet e tyre. Zgjidhja është që të takohen të gjithë liderët dhe të arrijnë marrëveshje për qeveri të zgjeruar, pa pasur nevojë që të drejtojmë gishtat te njëri-tjetri, të gjejmë zgjidhje dhe mos të bëjmë akuza”, tha mes tjerash lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.
Sela tha se përveç integrimeve evropiane, vendi ka nevojë për Qeveri të zgjeruar pasi që ekzekutivi ka nevojë për menaxhim më të mirë të pandemisë Covid-19.
“Sa i përket protestave, një ndër elementet që përmenda se pse duhet Qeveria e zgjeruar është edhe menaxhimi me krizën e pandemisë. ne jemi të kujdesshëm si subjekt politik. Kemi pasur shumë shkaqe për protesta, kemi bërë protestë pas zgjedhjeve dhe e kemi lënë me aq, so sepse nuk kemi pasur kapacitete, kemi pasur kapacitete të bllokojmë të gjitha institucionet, por mbi gjitha për ne është me vlerë jeta e qytetarit”, pohoi Sela.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët theksoi se ideja për Qeveri të zgjeruar fillimisht është apel për kryeministrin, por që sipas tij nëse është nevoja, ky subjekt politik mund edhe ta formatizojë idenë.