Gazetar: Suad Bajrami
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është duke shpërndarë materialin zgjedhor nëpër komisionet komunale për zgjedhjet e teta lokale që do të mbahen të dielën në Maqedoninë e Veriut. Në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit gjithsej do të votojnë 1.832.415 persona, në gjithsej 3.480 vendvotime për 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe 576 lista kandidatësh për anëtarë të këshillave komunalë.
Identifikimi gjatë votimit do të bëhet me aparatet biometrike të cilat për herë të parë u vendosën para katër vitesh, ndërsa nuk do të ketë ndonjë risi sa i përket rregullave të përgjithshme të votimit. Respektivisht, votohet prapa kabinës me stilolaps me ngjyrë të kaltër duke rrethuar numrin e kandidatin. Fletëvotim i vlefshëm llogaritet vetëm ai në të cilin në mënyrë të qartë është rrethuar numri
Votat e para do të hidhen gjatë ditës së nesërme, respektivisht një ditë para datës së votimit nga persona e moshuar, personat që banojnë në shtëpi për të moshuar dhe të burgosurit.
2.162 të burgosur të Maqedonisë ndodhen në listën zgjedhore, ndërsa më së shumti ka në Burgun e Idrizovës, respektivisht 938, pastaj në Shutkë 391, Shtip 237, Prilep 119, Kumanovë 116, Manastir 105, Tetovë 62 e të tjerë.
Krahas tyre edhe 450 persona që banojnë në shtëpi për të moshuar, nesër do të kenë të drejtë të realizojnë të drejtën e tyre të votimit.
Votuesi më i moshuar në këto zgjedhje është nga Prilepi i lindur më 14 prill të vitit 1914, respektivisht 111-vjeçar. Nga ana tjetër, votuesi më i ri është nga Kumanova i cili ditën e zgjedhjeve i mbush 18 vjet.
Për herë të parë në këto zgjedhje do të votojnë 25.603 qytetarë të cilët kanë mbushur mbi 18 vjet. Ndërkohë, mbi 1300 akreditime janë dhënë nga KSHZ-ja për monitoruesit e huaj dhe vendas të cilët ndjekin procesin e zgjedhjeve dhe veçanërisht votimin. Nga të huajt, më shumë monitorues ka ODIHR-ja kurse nga vendi, organizata Wake Up dhe Civil. /Alsat.mk