Zeqirija Ibrahimi: Nuk lejojmë që Izetin ta fitojë dikush me telekomandë nga Zajazi
Unë e Izeti do të flasim për Çairin si të bëhet mirë, nuk lejoj që Izetin ta fitojë dikush me telekomandë nga Zajazi. Kjo nuk do të ndodhë asnjëherë, tha në hapjen e Shtabit zgjedhor në Çair, lideri i Alternativës nga koalicioni VLEN, Zeqirija Ibrahimi.
Ai shtoi se derisa Izeti në mënyrë vullnetare e lë postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe kthehet në betejë për Çairin është obligim i çdo qytetari të Çairit, jo vetëm të VLEN, jo vetëm i shqiptarëve por edhe çdo banori që të mbështet Çairin, sepse ai po lë kolltukun duke u kthyer në shërbim të komunës së Çairit.
“Këtë Çair Ali Ahmeti e bëri më të vogël duke e prerë në mënyrën më të poshtër që të mos ketë zhvillim, por sot Çairi jo vetëm që është rrudhur por është zgjeruar, është bërë qendër universitare dhe pjesa më e bukur e Shkupit tonë”, ka thënë Ibrahimi.
Çairi për fat të mirë, siç shtoi ai, “nuk është bërë Kandahar dhe duaja e Ahmetit nuk është bërë kabull”.
“Derisa ata që luanin futboll nëpër zyra nuk ndanin fonde për Çairin, sot kjo komunë është bërë një kantier ndërtimi, zhvillimi, kopshte, parqe, ndriçim publik, kampus universitar dhe kanë një emër të përveçëm, ai është Izet Mexhiti”, tha Ibrahimi.