Kryemnistri maqedonas, Zoran Zaev ka dhënë sinjale se do ndryshohen tekstet e historisë sa i përket atyre që thuhen për Bullgarinë dhe Greqinë fqinje. Termi okupator fashist do hiqet nga teksti.
“Librat modernë, historia moderne e Maqedonisë, duhet të shkruajë vetëm për fashizmin, e jo për popujt si “fashist”, “okupatorë” e gjëra të ngjashme. Unë mendoj se më nuk do të jenë, sigurisht që nëse ka, për hir të miqësisë, duhet të përmirësohet”, u shpreh Zoran Zaev, në një intervistë për televizionin nacional bullgar. Nga ana tjetër, ndryshime në librat e historisë kërkon edhe Greqia, përkatësisht, revizion të segmenteve të caktuara për të cilat ata mendojnë se interpretohen në mënyrë të gabuar në tekstet maqedonase. Ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov, thotë se tani për tani nuk është biseduar për formimin e komitetit të përbashkët me Greqinë, i cili do t’i kontrollojë librat mësimore, por është biseduar vetëm për takime mes historianëve të të dyja vendeve. “Maqedonia në vitin 2007 dhe unë personalisht në atë kohë në rolin e negocuesit për dallimet rreth emrit, në kontekst më të gjerë në propozim masat të ndërtimit të besimit, propozova formimin e komisionit të ngjashme më këtë që po propozon tani kolegu Kotzias, kështu që ne në princip nuk kemi asgjë kundër, atëherë ishte tjetërkush president, kishim tjetër qeveri dhe kështu me radhë dhe absolutisht jemi të gatshëm ta shqyrtojmë propozimin e tillë, megjithatë tani për tani është caktuar vetëm takim”, tha Dimitrov. I gjithë ky zhvillim, ka ngacmuar dhe faktorin shqiptar. Më konkretisht, Këshilli i mësimdhënësve shqiptarë në Maqedoni, kërkon formimin e një komisioni që do të bëjë ndryshimin e përmbajtjes së librave të historisë. Mësimdhënësit shqiptarë kërkojnë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, para se të bëj ndryshimet të konsultohet me shoqërinë civile e jo me njerëz të njëjtë nga komisionet nëpër ministri, komisione të cilët nuk ndryshohen asnjëherë.