“Feja e shqiptarit është shqiptaria”. jo rastësisht kjo thënie është mbështetur dhe propaganduar më herët nga figura që kanë meritën e tyre në krijimin e shtetit tonë. Mes tyre një foto mbresëlënëse, jo rastësore dhe, për më tepër, e shkrepur nga një aparat i kohës, dokumentuar si një dëshmi e vyer që do t’i shërbente historisë së vendit.
Arkivat e kanë ruajtur me fanatizëm, ndërsa prej disa kohësh shfaqet si një datim i hershëm që u përket viteve të luftës. Gazeta “Minerva online” ka publikuar foton e disa klerikëve bektashianë, të cilët kanë qenë ndër të parët që formuan me duar simbolin e shqiptarëve, shqiponjën dykrenore.
Pas ndeshjes së kombëtares kuqezi në Serbi, “duart shqiponjë” u përjetuan si një emocion edhe më i madh dhe tashmë bindshëm dhe fort mbështetur janë shenja identifikuese kombëtare e shqiptarëve.
Kjo foto e vjetër e klerikëve dhe besimtarëve bektashi në Teqenë historike të Frashrit në Përmet është një provë e përdorimit të këtij simboli në shekuj nga shqiptarët. Ndonëse për mbi gjysmë shekulli ky simbol as që u përmend ndonjëherë, si ndalim i sistemit të kohës, sot më shumë se kurrë ai mbështetet jo vetëm nga patriotë, atdhedashës dhe simpatizantë të sportit (sepse falë tij u rishfaq), por edhe nga politikanë.
Nuk ka dallim, të gjithë bëhen bashkë kur simboli thërret: bashkojnë duart në gjoks në formën e shqiponjës me dy kokë të flamurit tonë kombëtar. Të shumtë janë personazhet publikë, të cilët vitet e fundit (pasi këto kohë ka marrë një përhapje të gjerë simboli i duarve shqiponjë) kanë kryqëzuar duart me simbolin e shqiponjës së flamurit, në çdo eveniment apo ngjarje të rëndësisë kombëtare.
Që nga politikanë, artistë, gazetarë televizivë, personazhe mediatike, emocionet e përjetuara i kanë ngulitur në foto enkas, duke i bërë publike gjithashtu nëpër rrjetet e tyre sociale. Pas sfidës së ndërprerë në 14 tetorin e vitit 2014 mes Serbisë dhe Shqipërisë, emblema e shqiptarëve, shqiponja dykrenore u përhap dhe u mbështet dhe nga shumë figura publike ndërkombëtare.
Mbështetja e tyre ndaj shqiptarëve u shoqërua në respekt duke bërë foto me duart shqiponjë. Ndërkohë në Kopshtin Botanik të Montrealit në Kanada është një nga skulpturat më të pabesueshme të bimëve.
Kjo fotografi, e cila gjendet në “Pinterest”, në internet, mban simbolin kombëtar shqiptar të shqiponjës me duart e kryqëzuara.
Nëse është apo jo ideja e ndonjë shqiptari, mund të themi se është një skulpturë mahnitëse, e cila na bën të ndihemi krenarë edhe në Kanada.
Botuar në revistën “Psikologjia”, numri 102.