VLEN: Sulmi ndaj Naser Selmanit është sulm ndaj demokracisë dhe lirisë së shprehjes
VLEN shpreh shqetësimin më të thellë dhe indinjatën e plotë për sulmin e fundit ndaj gazetarit të njohur Naser Selmani. Ky akt i papranueshëm nuk është vetëm një goditje ndaj tij personalisht, por edhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias, të drejtës së qytetarëve për informim dhe vetë themeleve të demokracisë.
Sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj shoqërisë, ndaj institucioneve dhe ndaj sundimit të ligjit. Çdo tentativë për të frikësuar, shantazhuar apo penguar punën profesionale të mediave, është kërcënim i rëndë për të drejtat themelore të qytetarëve.
VLEN kërkon nga organet kompetente që menjëherë të zbardhin rrethanat, të hetojnë me transparencë dhe të nxjerrin autorët e këtij akti para drejtësisë. Çdo vonesë është bashkëfajësi.
Institucionet kanë detyrim të sigurojnë mbrojtje të plotë për gazetarët dhe të krijojnë kushte ku puna e tyre të zhvillohet lirshëm, pa presione, pa kërcënime dhe pa dhunë. Ne shprehim solidaritet të plotë me Naser Selmanin. Liria e medias është gur themeli i çdo shoqërie demokratike dhe ajo duhet mbrojtur me çdo kusht.
VLEN në mbrojtje të lirisë, kundër dhunës dhe frikësimit!