“Lufta jonë politike nuk është për pushtet, por për të drejta dhe barazi. E drejta e shqiptarëve e me të edhe e çdo qytetari garantohet vetëm në një shtet që ndërtohet mbi dije, drejtësi dhe transparencë. Shqiptarët nuk janë monedhë pazari. Ata nuk janë mall privat për pasurimin e politikanëve të BDI-së. VLEN u krijua nga një bindje e thellë: në institucione duhet të vendosë merita, jo mbiemri. Çdo vend pune duhet të fitohet me djersë, jo me lidhje familjare. Përfaqësimi duhet të jetë i hapur, publik dhe i verifikueshëm, jo statistikë për mashtrim”, thekson VLEN sot përmes një komunikate.
“Ne besojmë në një shtet ku shanset janë të barabarta për të gjithë shqiptarët. Ku konkurset publike nuk janë fasadë për emërime të parapërcaktuara, por ura drejt mundësive të ndershme. Kjo nuk është vetëm çështje ligji, është detyrim moral ndaj brezave që duan të ndërtojnë jetën në vendin e tyre, e jo të detyrohen të largohen. Nuk do të qëndrojmë të heshtur kur kjo e drejtë shkelet para syve tanë.
Kur funksionarë të BDI-së ,duke e keqpërdorur funksionin shtetëror, siguruan vendin më të paguar të punës për familjarët e tyre nëpër institucione si Agjencia për Komunikime Elektronike, M-NAV dhe institucione tjera.
Atëherë bëhet e qartë se pse BDI frikësohet nga rendi dhe kontrolli.
Këto nuk janë përjashtime. Janë pasqyrë e një sistemi të kalbur, ku lidhjet vlejnë më shumë se diplomat, dhe shërbimi publik është kthyer në arkë familjare. BDI-ja nuk frikësohet nga VLEN, por nga rendi dhe drejtësia që ne përfaqësojmë.
VLEN e refuzon këtë logjikë të sëmurë.
Ne duam institucione ku suksesi matet me dije, jo me mbiemër. Ku përfaqësimi etnik është mjet drejtësie, jo justifikim për abuzim. Ku çdo konkurs lë gjurmë të qarta, dhe çdo tentim për nepotizëm ndëshkohet, jo përgëzohet.
Kjo betejë nuk është vetëm për sot. Është për të gjithë të rinjtë që duan të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre. Luftojmë për një shtet ku vendet e punës u takojnë më të mirëve, jo më të afërmve. Luftojmë për të thyer monopolin familjar të pushtetit. Dhe e bëjmë këtë me bindjen se transparenca, barazia dhe meritokracia nuk janë fjalë të zbrazëta por themele të së ardhmes që ia kemi borxh qytetarëve tanë”, thekson VLEN