VLEN: Ne me SHBA dhe Evropën, Bujar Osmani me Lavrovin dhe Ballkanin e Hapur
Është më se e vërtetë se ose je me Uashingtonin dhe me Evropën, ose me botën serbe. Ne për një vit kemi zhvilluar takime të pandërprera, kemi thelluar bashkëpunimin me ambasadorë dhe me përfaqësues ndërkombëtarë, kemi realizuar mbi pesë vizita të liderëve të VLEN-it në Uashington vetëm brenda një viti dhe orientimi ynë është i qartë e i padiskutueshëm.
Bujar Osmani, pyetja është për ty: kujt ia ke hapur derën? Përveç darkave me Lavrovin dhe lidhjeve nëntokësore sërbo-malazeze, kush nga faktori ndërkombëtar ta ka hapur derën gjatë gjithë këtij viti? Askush.
Ti gënjeve për takimin me ish-kryeministrin Nikola Gruevski, publikisht e mohove, por sot ka dëshmi të qarta që të nxjerrin zbuluar.
Gënjeve për kontaktet e tua me udhëheqësit shtetërorë të Serbisë, sepse janë dokumentuar së paku njëmbëdhjetë takime të fshehura nga opinioni dhe pa dhënë asnjëherë llogari.
Gënjeve për hyrjen e kapitalit serb në sektorin e telekomunikacionit, sepse ishte pikërisht gjatë mandatit tënd kur u dha leja për kompaninë MTEL. Dhe ishe një nga përkrahësit më të zëshëm të projektit të dështuar “Ballkani i Hapur”, një nismë që i hapi derën Beogradit të shtrijë edhe më shumë ndikimin e tij dhe dëmtoi interesat e shqiptarëve.
Derisa VLEN i forcon lidhjet me Uashingtonin dhe me faktorët perëndimorë, ti i ke shtruar tapetin e kuq botës serbe.