*VLEN i është përgjigjur akuzave të BDI-së në lidhje me respektimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga Qeveria e RMV-së. Nga VLEN thonë se akuzat e BDI-së janë hipokrozi, pasi siç theksojnë, BDI ka qenë arkitekti i viteve të heshtjes institucionale për gjuhën shqipe.
“E vërteta është kjo: BDI nuk ka asnjë të drejtë morale të flasë për përdorimin e gjuhës shqipe. Në kohën e tyre, gjuha shqipe ishte e pranishme vetëm në premtime, në ndërkohë që komunikimi ndërinstitucional dhe dokumentet zyrtare funksiononin vetëm në një gjuhë, maqedonisht”.
“Sot, falë qeverisjes së re dhe përkushtimit të zyrtarëve shqiptarë brenda VLEN, gjuha shqipe është prezente në çdo vendim qeveritar, në çdo dokument të rëndësishëm dhe në çdo proces të komunikimit brenda institucional. Dëshmi konkrete për këtë janë këto konkluza nga seancat qeveritare, ua sjellim një shembull si ai i 3 korrikut 2025, të cilin e publikojmë në dy gjuhë zyrtare dhe me përkthim të plotë”.
“Në kohën e BDI-së, këto dokumente nuk ekzistonin në shqip. Sot ekzistojnë. Në kohën e BDI-së, përdorimi i shqipes simulohej. Sot, është realitet institucional.
Ne veprojmë. Ne zbatojmë ligjin. Ne e përdorim gjuhën shqipe me dinjitet, jo për marketing, por për barazi”, thonë nga VLEN.